Kurti takon Elezaj: Për ta parandaluar pandeminë duhet të respektohen këshillat

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka pritur kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti dhe ministrat Hykmete Bajrami, Arben Vitia dhe Emilija Rexhepi.

Kryetari e ka falënderuar kryeministrin për vizitën dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve gjatë kësaj kohe të përhapjes së pandemisë Covid-19.

Elezaj informoi kryeministrin për masat e ndërmarra nga komuna kundër përhapjes së virusit dhe përgatitjet që janë bërë nga shtabi i emergjencës dhe në veçanti për punën nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, policia dhe Qendra për Punë Sociale.

Kryetari theksoi se Klina megjithëse është komuna e parë ku është konfirmuar pacienti zero, duke ju falënderuar masave të ndërmarra dhe kujdesit dhe vetëdisiplinës që po tregojnë qytetarët gjatë kësaj kohë, ka ndikuar shumë pozitivisht në mospërhapjen e virusit në Klinë.

Ndërsa kryeministri Kurti falënderoi kryetarin për pritjen dhe e përgëzoi për masat e ndërmarra, të cilat kanë qenë shumë pozitive.

Ndërsa bëri thirrje të respektohen këshillat e ekspertëve shëndetësore, që të mbahet distanca dhe higjiena, në mënyrë që lakorja e shpërndarjes së Covid-19 të shtyhet sa më shumë në kohë dhe ngritja e saj të bëhet sa më e paktë, në mënyrë që ta parandalohet kjo pandemi.

Kryetari Elezaj theksoi me sfidat me të cilat po përballet komuna dhe qytetarët, si problemi i furnizimit me ujë të pijshëm, por edhe nevojën e përfshirjes të punëtorëve të KRU “Ambienti” në pakon emergjente.