Kurti takoi ambasadoren e Suedisë, flasin për vaksinimin kundër COVID-19

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck.

Siç njofton kumtesa, ambasadorja Hernmarck e uroi kryeministrin Kurti për fitoren në zgjedhje dhe i dëshiroi suksese në punën e tij. Duke u nisur nga bashkëpunimi i mirë që ka pasur me Qeverinë Kurti 1, Hernmarck ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Suedisë që bashkëpunimi në mes dy vendeve dhe dy qeverive të vazhdojë me intensitet të shtuar drejt avancimit të mëtejmë të tyre.

Gjatë takimit, ambasadorja Hernmarck e njoftoi kryeministrin Kurti lidhur me projektet dhe programet që shteti i saj mbështetë në Kosovë, e të cilat fokus kanë integrimin ekonomik me BE-në, fuqizimin e demokracisë, respektimin e të drejtave të njeriut, dhe çështjet ambientale.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadoren Hernmarck për urimin e saj, bashkëpunimin e deritanishëm dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë. Ai tha se Suedia është sa partner ashtu edhe model për Republikën e Kosovës në synimet e saj për zhvillim ekonomik, barazi sociale dhe mbrojtje të ambientit.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti e njoftoi ambasadoren e Suedisë rreth fillimit dhe mbarëvajtjes së procesit të vaksinimit dhe për angazhimin e pareshtur të Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e dozave të tjera të vaksinave kundër Covid-19. Deri atëherë e edhe pas, është shumë e rëndësishme që të gjithë t’i përmbahemi me përpikëri masave preventive për parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të virusit Corona, përfundoi kryeministri Kurti.