Kryeministri

Kurti takohet me përfaqësuesin e Rockefeller Foundation, flasin për krijimin e vendeve të punës

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, janë takuar me përfaqësuesin e Rockefeller Foundation, Rajiv Shah.

Në takim u diskutua për objektivat e qeverisë, ku përshihen ulja e nivelit të varfërisë dhe pabarazisë, krijimi i vendeve të reja të punës, luftimi i pandemisë Covid-19 dhe promovimin e energjisë së ripërtritshme dhe të ekonomisë së gjelbërt.

Dr. Shah dhe z. Muldoon shprehën gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me Qeverinë e re të Republikës së Kosovës në përmbushjen e këtyre objektivave, të cilat janë edhe pjesë e misionit të vetë Fondacionit Rockefeller.

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministri për Zhvillim, Integrim Evropian dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe ministrja e Ministrisë së Ekonomisë Artane Rizvanolli, mbajtën sot një takim virtual me përfaqësuesit e Rockefeller Foundation të SHBA-së, përkatësisht me dr. Rajiv Shah, president i Fondacionit dhe ish administrator i USAID, në administratën e presidentit Barack Obama. Bashkë me dr. Shah në këtë takim ka qenë edhe drejtori i Iniciativës për Financa Inovative të Fondacionit, z. Mike Muldoon.

Gjatë bisedës me dr. Shah dhe z. Muldoon, kryeministri Kurti dhe anëtarët e Qeverisë kanë prezantuar disa nga objektivat kryesore të Qeverisë, duke përfshirë uljen e nivelit të varfërisë dhe pabarazisë, krijimin e vendeve të reja të punës, luftimin e pandemisë COVID-19 dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme dhe të ekonomisë së gjelbër.

Nga ana e Fondacionit, dr. Shah dhe z. Muldoon shprehën gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me Qeverinë e re të Republikës së Kosovës në përmbushjen e këtyre objektivave, të cilat janë edhe pjesë e misionit të vetë Fondacionit Rockefeller. Po ashtu, ata kanë theksuar se nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti, Qeveria e re ka një mundësi të artë jo vetëm për të ndryshuar jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, por edhe për të shërbyer si një model i qeverisjes së mirë për të gjithë botën, si për rimëkëmbjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës pas pandemisë, ashtu edhe për tranzicionin e suksesshëm drejt një ekonomie më të barabartë dhe të gjelbër.