Kryeministri i Kosovës

Kurti takohet me Miqtë e Ballkanit Perëndimor, diskutojnë për zhvillimet në rajon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua sot me rrjetin socialdemokrat, Miqtë e Ballkanit Perëndimor (Friends of Western Balkans), një rrjet i përbërë nga fondacione, eurodeputetë dhe deputetë të vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian, por edhe nga partnerë të partive dhe shoqatave të rajonit.

Rrjeti u mblodh sot në Prishtinë ku biseduan për çështje të ndryshme, përfshirë zhvillimet në rajon apo edhe zgjedhjet evropiane të 9 qershorit, njofton klankosova.tv.

Sipas zyrës së kryeministrit, Kurti theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe rrjedhimisht të rajonit dhe të procesit të zgjerimit.

“Sot tre vite pas fillimit të Qeverisë së tij, Kryeministri paraqiti arritjet e saj sociale, ekonomike dhe demokratike, dhe gjithashtu sfidat që mbeten në rrugën e Kosovës dhe të rajonit drejt integrimit evropian”.

“Kryeministri shfrytëzoi rastin për të shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të socialdemokratëve gjatë këtyre tre viteve, veçanërisht në Parlamentin Evropian, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe pranë institucioneve të Bashkimit Evropian, për të fituar liberalizimin e vizave, ndërsa Kosova kërkon sot dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE”.