Takim

Kurti takohet me Drejtorin e Institutit për Krime Lufte, bisedojnë për raportin e parë gjashtëmujor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar këtë të enjte me drejtorin ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Atdhe Hetemi.

Me të Kurti ka biseduar për raportin e parë gjashtë mujor të procesit të mbledhjeve të dëshmive për krimet serbe të kryera në Kosovë.

“Në takimin e sotëm me Drejtorin Ekzekutiv të IKKL-së, Atdhe Hetemi, biseduam për raportin e parë gjashtëmujor të këtij procesi kaq të rëndësishëm për Republikën tonë, për të kaluarën e të ardhmen tonë dhe për paqen e qëndrueshme”, tha Kurti.

Kryeministri theksoi se “të gjitha dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, të ruajtura nga organizata vendore e ndërkombëtare, nga hulumtues e dokumentues, bashkë me dëshmi të pambledhura deri më tash, vazhdojnë të mbledhen nga institucionet e Republikës së Kosovës”.

Kurti tha se Institutin për krimet e luftës e kanë funksionalizuar për ta treguar të vërtetën e luftës së fundit në Kosovë.

“Për narracione të vërteta dhe të sakta për masakrat, torturat, dhunimet, pengjet e luftës, zhdukjet me dhunë, plaçkitjet, shkatërrimet dhe të gjitha krimet e kryera gjatë luftës, për kujtesën tonë kolektive dhe për trashëgiminë tonë, e kemi të funksionalizuar Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë”, tha ai.