Kurti takimin e parë në Munih e realizon me mbështetësin e idesë së shkëmbimit të territoreve

Kryeministri Albin Kurti është duke marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih të Gjermanisë.

Ai ndonëse në agjendën zyrtare të kësaj konference të publikuar nga Demokracia.com nuk figuron të jetë pjesë e ndonjë paneli, e ka takuar diku nëpër korridore komisionerin e BE-së për Buxhet dhe Administratë, Johannes Hahn.

Kjo është bërë e ditur nga Kurti nëpërmjet një postimi në Twitter, shkruan Demokracia.com.

“Integrimi në BE ka të bëjë me reforma të lidhura me vlerat e BE-së. Me treguesit e mirë ekonomikë dhe me performancën e mirë në sundim të ligjit, ne duhet të marrim më shumë fonde nga BE-ja. I kërkova Johannes Hahnit, komisionarit për Buxhet dhe Administratë, për më shumë mbështetje për arsimin dhe punësimin e të rinjve tanë”, shkroi Kurti në Twitter pas takimit me zyrtarin e BE-së.

Hahn në kohën sa ka qenë komisioner për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë në BE, kur ishte pyetur për idenë e korrigjimit të kufijve kishte thënë se për BE-në është e pranueshme çdo marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në konferencën e sigurisë në Munih po merr pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. /Demokracia.com/