Kurti: S’ka pasur marrëveshje të fshehtë për heqjen e barrikadave

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se s’ka pasur asnjë marrëveshje të fshehtë me Serbinë për largimin e barrikadave në veri.

Kurti ka theksuar se garancia e vetme që i kanë dhënë ndërkombëtarëve ka qenë se s’ka lista për arrestime në veri, pavarësisht listës që ishte bërë publike nga ana e deputetit të tij Armend Muja. Kreu qeveritar e mohon kategorikisht se ka dhënë garanci për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti për KosovaPress thotë se për shtensionimin e situatës në veri ka pasur takime vetëm me KFOR-in, EULEX-in dhe ambasadorët e QUNIT-it, veçmas ai amerikan.

Siç thotë ai, ditët e fundit ka pasur angazhim të shtuar të tyre për largimin e barrikadave, pasi Policia e Kosovës ka treguar vendosmërinë për t’i larguar ato.

“Nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje të fshehtë. Ka pasur takime me KFOR-in dhe ka pasur takime me EULEX dhe ka pasur takime me ambasadorët e QUINT-it, në veçanti me atë të ShBA-së. Meqë rast ne vazhdimisht kemi thënë se durimi i qytetarëve dhe qeverisë po shteron, andaj ne japim ca më shumë kohë dhe ca më shumë hapësirë KFOR-it, por kjo nuk mund të jetë e pafundme”, është shprehur Kurti.

“Por gjithashtu, nga takimet që kemi pasur kemi filluar të vërejmë angazhimin e tyre të shtuar drejt largimit të atyre barrikadave, andaj në ditën e diel e patëm thënë se është çështje ditësh se kur do të largoheshin këto barrikada. Nëse nuk do të largoheshin nga KFOR-i atëherë do të detyrohej Policia e Kosovës ta bënte këtë. Ajo mua më ka bindur drejtpërdrejtë kur i kam vizatuar se e ka jo vetëm vullnetin por edhe kapacitetet për largim efikas të atyre barrikadave”, thotë ai.