Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas shqetësimeve që janë ngritur lidhur me cenimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe pas paralajmërimeve se Gjykata Kushtetuese mund të shfuqizojë disa nene te Ligjit për gjuhë, të cilat do ta afektonin derjtëpërdrejt përdorimin e gjuhës shqipe ka thënë se nuk ka ligj në Maqedoninë e Veriut për përdorimin e gjuhës shqipe.
Kurti në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka thënë se ekziston një ligj që përcakton përdorimin e gjuhëve të tjera në këtë shtet, por që ai ligj nuk është vetëm për gjuhën shqipe.
“Së pari, nga sa kam kuptuar unë, kjo është një çështje që i përket Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut. Tri dispozita për përdorimin e gjuhëve janë dërguar në Komisionin e Venecias, dhe këto tri dispozita, paradoksalisht, as nuk janë zbatuar dhe as nuk janë vënë në jetë më parë. Tani i takon Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut që të bëjë vlerësimin e tyre”.
“Dua të sqaroj një gjë: Në Maqedoninë e Veriut nuk ka një ligj për përdorimin e gjuhës shqipe dhe nuk ka pasur as në të kaluarën. Ekziston ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili përmend shifrën 20 për qind, por ai nuk është specifikisht për gjuhën shqipe, por për përdorimin e gjuhëve në përgjithësi”, ka thënë Kurti para gazetarëve.
Ai ka shtuar se duhet që të pritet një vendim i drejtë nga Gjykata Kushtetuese lidhur me këtë çështje.
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, të premten kërkoi që në mbledhjen e përbashkët Qeveria e Kosovës të ngritë shqetësimin për cenimin e gjuhës shqipe në RMV, pas paralajmërimeve se Gjykata Kushtetuese mund të shfuqizojë disa nene të Ligjit për gjuhë, të cilat do të cilat do ta afektonin drejtpërdrejt përdorimin e gjuhës shqipe.
Por, sipas ministrit shqiptar të Shëndetësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, njëherësh njëri nga liderët e koalicionit “VLEN”, Arben Taravari, krejt çuditshëm, “ndonëse jo papritur”, Ahmeti është duke “mbjellë tension dhe ankth të sajuar”.







