Kurti s’ka folur pas anulimit të mbledhjes, qeveria pati një përgjigje mbrëmë për Ramën

Kryeministri Edi Rama dje në mbrëmje, në një konferencë të jashtëzakonshme, njoftoi se mbledhja e dy qeverive të Kosovës e Shqipërisë,  në formatin e dakorduar nuk do të mbahet për shkak të raporteve Kosovë – bashkësi euroatlantike, të cilës tha i takon edhe Shqipëria.

Anulimi i mbledhjes së dy kabineteve erdhi rreth dy orë pasi Qeveria e Kosovës u shpëndau mediave agjendën e mbledhjes që do të mbahej në Gjakovë.

Rama njoftoi se i kishte propozuar Kurtit një format më të ngushtë Kryeministrat me nga dy ministra, por theksoi se Kurti e kishte hedhur poshtë.

Por, si iu përgjigj Qeveria e Kosovës deklaratave të Ramës?

Kurti ende nuk ka folur. Zëdhënësi i Qeverisë në një prononcim mbrëmë për Gazetën Express ka thënë se  “mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të mëdha organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë”.

“Nesër do të duhej të nënshkruheshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato” ka thënë Kryeziu.

Ai e ka potencuar se kjo është hera e parë që po anulohet një mbledhje e qeverive mes dy vendeve – në mënyrë unilaterale nga Edi Rama.

Ndërkohë që është përgjigjur edhe për kërkesën e Ramës për takim kokë më kokë me Kurtin.

“Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme” ka theksuar Kryeziu.