Kurti si kryeministër ndërhyn në zgjedhjet e Shqipërisë, e mbështet kandidatin e VV-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e mbështet kandidatin e pavarur, Boiken Abazi i cili garon për deputet në Tiranë për zgjedhjet e 25 prillit, raporton Ballkani.info

“Boikeni është kandidat i pavarur, numri i tij në fletën e votimit është 13” ka shkruar Kurti në facebook.

Kurti tha se Abazi prej shumë vitesh, ka mbajtur pozita të larta drejtuese në Lëvizjen Vetëvendosje.

“E njoh Boiken Abazin prej shumë vitesh, e qysh prej 2010 ai ka mbajtur pozita të larta drejtuese në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Së fundi udhëhoqi Sekretariatin për Marrëdhënie me Jashtë, dhe falë tij, sot organizata jonë është e njohur ndërkombëtarisht.” ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Miku e bashkëveprimtari im, Boiken Abazi, garon për deputet në Tiranë. Boikeni është kandidat i pavarur, numri i tij në fletën e votimit është 13.

E njoh Boiken Abazin prej shumë vitesh, e qysh prej 2010 ai ka mbajtur pozita të larta drejtuese në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Së fundi udhëhoqi Sekretariatin për Marrëdhënie me Jashtë, dhe falë tij, sot organizata jonë është e njohur ndërkombëtarisht.

Boikeni është njeri me etikë të lartë pune. I pakorruptueshëm, por edhe i palodhshëm. Ai është e kundërta e populistit, është njeri i fjalëve shumë të matura, sepse vazhdimisht dëshiron ta mbështesë qëndrimin me argumente të forta logjike.

Boikeni përfaqëson vlerat e një socialdemokracie të re për Shqipërinë – larg pazareve me monopolistët, kundër pabarazisë neoliberale, dhe solidar me qytetarët, aktivistët, punonjësit, të papunët e studentët.

Në fletën e votimit të Qarkut të Tiranës për zgjedhjet e 25 prillit e gjeni lehtë në fund të fletës, me numrin 13, aty ku shkruan “Kandidat i Pavarur Boiken Abazi”.