Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është e vetmja që ka mbetur e pakënaqur me mos heqjen e tarifës gjatë vikendit, ashtu si pati paralajmëruar kryeministri Albin Kurti. Një kërkesë të tillë e kanë përsëritur edhe sot në një përgjigje për Gazetën Express nga zyra e përfaqësuesit të SHBA-së në dialog, Richard Grenell.
Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë edhe më tutje po vazhdon që të qëndrojë pezull. Kosova nuk e ka hequr tarifën 100 për qind të vendosur për mallrat serbe dhe boshnjake, me datën 15 mars sic kishte paralajmëruar kryeministri Albin Kurti.
Ani pse Kurti tha se në mes të marsit do të hiqet tarifa për lëndën e parë, një gjë e tillë nuk ndodhi të dielën, e për këtë i pari i Qeverisë kërkoi falje.
Shefi i qeverisë tha se heqja e pjesshme e taksës nuk ndodhi pasi që nuk arriti që t’i bind partnerin në koalicion që të bëhet zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitet.
Ndryshe nga cka tha kryeministri, deklaroi Isa Mustafa, kreu i LDK-së e partneri i Lëvizjes Vetëvendosje në Qeveri.
Mustafa dje gjatë ditës ka thënë se Kurti ka qëndrime dogmatike dhe konspiracion. Ai shtoi se tarifa duhet të hiqet tërësisht, e se nuk do të përkrahin heqjen e pjesshme.
I pari i LDK-së tha se nuk do të pajtohen as me reciprocitet, nëse një masë e tillë nuk vendoset me dakordim të plotë me partnerët ndëkombëtarë të Kosovës.







