Kosova-Shqipëria

Kurti shkruan për ‘afrim’ me Shqipërinë: Që nga 2023 partneri ynë kryesor tregtar

Në serinë e çdoditshme të asaj që ai e jep për “mirëqeverisje trevjeçare” kryeministri i Kosovës, Albin Kurti postimin e radhës e ka dhënë për atë që, gjithnjë sipas tij, është sukses në forcimin dhe afrimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Kurti veçoi “forcimin si asnjëherë më parë të marrëdhënieve ekonomike” për çka tha se që nga 2023’a Shqipëria u bë “partneri kryesor tregtar” i Kosovës.

Postimi i plotë:

Me Shqipërinë nuk jemi kurrë mjaftueshëm afër. Ka gjithmonë vend për përafrim, tema për përbashkim dhe fusha për përfitim të dyanshëm.

Sot, marrëdhëniet tona ekonomike janë forcuar më shumë se ndonjëherë më parë. Me hapjen e dy zyrave doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe Porto Romano, fituam qasje në det nga e cila përfitojnë bizneset dhe ekonomia jonë. Investimet nga Shqipëria dhe shkëmbimet tregtare janë rritur e po rriten. Në 2023, Shqipëria u bë partneri ynë kryesor tregtar. E këtë vit, shënuam një moment historik në bashkëpunimit tonë në sektorin energjetik. Funksionalizuam dhe përuruam bursën shqiptare të energjisë elektrike ALPEX, e cila na mundëson të rrisim shumëfish shkëmbimet përmes kësaj burse të përbashkët. Po aq historike ishte edhe kandidatura e suksesshme e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Ajo u bë e mundshme pikërisht me ndihmën dhe bashkëpunimin me Shqipërinë. Bregdeti shqiptar do të mirëpresë sportin e lundrimit në kuadër të këtyre lojërave.

Prej marrëveshjeve bilaterale që ekzistojnë mes nesh, 58 u nënshkruan gjatë këtyre tri viteve, e në kuadër të së cilave i kemi mbajtur edhe dy mbledhje fizike të përbashkëta të qeverive tona.

Thjeshtësimi i procedurave burokratike, lehtëson qasjen e qytetarëve tanë në shërbime por edhe jetën e tyre të përditshme. Pajisja me leje qëndrim tashmë merret më shpejt e me më pak procedura. Kurse sa i përket legalizimit të dokumenteve, kemi hequr mes nesh kërkesat për vulë apostile. Gjithashtu kemi nënshkruar marrëveshje me Republikën e Shqipërisë për njohjen e së drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësuesit në të dy vendet. Për mbi 200 mijë banorët e brezit tonë të përbashkët kufitar lëvizin më lirë me funksionalizimin e 26 vendkalimeve të veçanta. E ndërmjet fshatrave ndërkufitare kemi filluar të ndërtojmë rrugë që na lidhin edhe më shumë, edhe më lehtë, për më shumë shkëmbime e më shumë turizëm malor.

Ndër projektet më të rëndësishme mbarëkombëtare, është marrëveshja për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës. Ajo do të jetë infrastruktura e radhës fizike që i përgjigjet vullnetit, dëshirës dhe nevojës për të qenë me afër. Ndërkohë që hapja e korridoreve ajrore me Republikën e Shqipërisë, e afron Kosovën me vendet tjera. Shkurtohet koha e udhëtimit dhe ruhet mjedisi sepse zvogëlohet trajektorja e fluturimeve për dhe nga Kosova.

Kosova dhe Shqipëria janë gjuhë dhe kulturë, arte dhe tradita, të mishëruara në brendi të kombit tonë. Abetarja e unifikuar dhe fillimi i punës për Enciklopedinë Shqiptare, i vulosin vlerat e historinë tonë të përbashkët.

VIDEO BONUS: