Kurti shkeli shtetin që e drejton, Bërnabiq ishte shpallur “non grata” nga Kosova

Dhjetëra persona janë përfshirë në listën e të padëshiruarve, “non grata”, të cilët nuk mund të hyjnë, të vizitojnë apo të qëndrojnë në Kosovë.

Institucionet e Kosovës kanë konfirmuar se kanë tashmë të hartuar një listë me emrat e personave dhe zyrtarëve, kryesisht nga Serbia, por edhe nga vendet tjera, të cilët janë të padëshiruar të hyjnë në Kosovë.

Kësaj liste i ishte bashkuar edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe zyrtari i Kombeve të Bashkuara, punonjës në misionin e UNMIK-ut në Kosovë, Mikhail Krasnoshchenkov nga Rusia, i cili ishte ndaluar nga Policia e Kosovës gjatë aksionit kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në pjesën veriore të Kosovës.

Lista me emrat e personave të padëshiruar, sipas ish-zyrtarëve të MPJ së të Kosovës, është e gjatë dhe përfshin kryesisht emra të zyrtarëve, politikanëve aktualë dhe ish-udhëheqësve të ushtrisë serbe.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës i kishin thënë Radios Evropa e Lirë, se lista përmban emrat e dhjetëra personave, që kryesisht janë nga Serbia, të cilët nuk mund të futen në territorin e Republikës së Kosovës.

Lista që Ministria e Jashtme e Kosovës ka me emrat e personave që nuk mund të hyjnë në Kosovës, fillon me emrin politikanit ultranacionalist serb, Vojisllav Sheshel, i dënuar nga Gjykata e Hagës, pasuar nga Lubusha Divkoviq, ish-gjeneral i Armatës serbe, pastaj ministri i Brendshëm dhe ai i Mbrojtjes i Serbisë, deri te kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e të tjerë.

Por, këtë të fundit duket se e ka “amnistuar” tashmë Kurti, shkruan Demokracia.com.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ishte futur në listën “non-grata”, pasi që kishte thënë se ka zyrtarë shtetërorë “që vërtet kanë dalë prej malit”. Për këtë deklaratë kishte reagime të shumta në Kosovë, në Bashkimin Evropian, por edhe më gjerë.

Autoritetet në Kosovë kishin thënë se lista me emrat e zyrtarëve të lartë shtetërorë serbë, që nuk mund të hyjnë në Kosovë, është e shpërndarë në vendkalime kufitare.

Krahas zyrtarëve nga Serbia, ka edhe emra tjerë nga vende tjera, të cilëve është kërkuar t’u ndalohet hyrja në Kosovë. Bëhet fjalë kryesisht për persona, të cilët lobojnë kundër shtetit të Kosovës dhe prezantojnë para botës një pamje, sipas institucioneve, “të rrejshme” për Kosovën.

Pa e konfirmuar që e kanë hequr prej listës së personave “non-grata”, Kurti në një konferencë për medie të dielën tha se kërkesa për vizitën e Bërnabiqit ka ardhur pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë kërkuar leje për të shkuar në Luginën e Preshevës, shkruan Demokracia.com.

“Shpresoj që vizitat e zyrtarëve t’i kontribuojnë lëvizjes së lirë në përgjithësi. Por, pres që zonjën Bërnabiq të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit të Beogradit që jepte deklarata përçarëse, ndarëse e që kishin për qëllim tensionimin. Kemi nevojë të përqendrohemi te jeta më e mirë e gjithë qytetarëve”, tha Kurti. /Demokracia.com/