Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me përfaqësuesin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz, ka biseduar për situatën e sigurisë në vend dhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, derisa e ka njoftuar këtë të fundit se Serbia ka 48 baza ushtarake afër kufirit me Kosovën.

“Për sa i përket situatës së sigurisë, kryeministri rikujtoi kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën. Ajo ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, dhe së fundmi ka dislokuar sisteme kundër-ajrore në afërsi të kufirit, tha kryeministri, teksa shtoi se mungesa e sanksionimit të Serbisë, rritë nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim për media të Qeverisë.

Sipas njoftimit, në këtë takim të parë me kryeministrin Kurti në Prishtinë dhe vizitën e parë të emisarit Troccaz në Kosovë pas emërimit të tij nga Ministria e Punëve të Jashtme të Francës në fund të shtatorit të këtij viti, u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Francës.

“U diskutua për qeverisjen dhe zhvillimet e fundit në vend, situatën e sigurisë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator, dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritë e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”.

Po ashtu Kurti shprehu falënderimin e tij ndaj mbështetjes së vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës që para çlirimit e deri më sot, ndërkohë që e njoftoi me rezultatet e deritanishme të qeverisjes dhe progresin e shënuar në rrafshin demokratik dhe ekonomik të vendit.

Në lidhje me procesin e dialogut, Kurti veçoi faktin se Kosova ka qenë e vazhdon të jetë palë konstruktive dhe e angazhuar për hapa të rëndësishëm tutje në këtë proces, dhe e njoftoi atë me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës në takimin e 26 tetorit në Bruksel me liderët evropianë.

“Ai ritheksoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve, sepse me nënshkrim normalizimi i marrëdhënieve fiton qëndrueshmëri dhe zbatimi fiton garanci”.