Kurti: Respektojini udhëzimet e mjekëve edhe gjatë Ramazanit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka uruar besimtarët myslimanë për muajin e shenjtë të Ramazanit, duke kërkuar nga ta që t’i respektojnë udhëzimet e mjekëve e kufizimet qeveritare edhe gjatë agjërimit.

Ai po ashtu uroi që të gjithë ne të udhëzohemi kah e drejta, sepse, sipas tij, kohë të vështira po afrojnë në vendin tonë për shkak të lakmisë së disave.

Ky është postimi i i tij i plotë në Facebook:

Të dashur besimtarë myslimanë, pas pak orësh fillon syfyri i parë i muajit të shenjtë të Ramazanit.

Ky muaj, për besimtarët është muaji i agjërimit, i cili kufizon lakminë e gojës e të barkut, dhe lartëson bujarinë e drejtësinë e zemrës e të mendjes. Është muaji ku më shumë sheh e dëgjon shpirti, sesa veshi e syri.

Në këtë muaj të devotshmërisë, besimtari i përkushtohet Zotit dhe shton kontributin e vet për komunitetin dhe për njerëzit në nevojë. Zakonisht Ramazani është muaj që forcon shoqërinë e bashkësinë, me vizitat për iftar te njëri-tjetri e me mbledhjet në xhami për t’u falur e për të biseduar. Mirëpo sivjet nuk do të jetë kështu. Institucionet fetare, myftinjtë e hoxhallarët po iu bëjnë thirrje besimtarëve të ruajnë distancën sociale dhe të rrinë në shtëpitë e tyre. Dhe kjo thirrje duhet respektuar, që të mbrojmë njëri-tjetrin prej sëmundjes së rrezikshme, të cilën do ta kalojmë sa më shpejt, me ndihmën e Zotit e të mjekësisë. Pra, të dashur besimtarë, respektojini udhëzimet e mjekëve e kufizimet qeveritare, edhe gjatë Ramazanit.

Unë ua uroj gjithë myslimanëve Ramazanin, dhe dëshiroj që të jenë sa më vullnetfortë, zemërbardhë e të lumtur gjatë këtij muaji të agjërimit. Shpresoj që të gjithë ne të udhëzohemi kah e drejta, pra të gjithë, të çdo feje, besimtarë e jobesimtarë, sepse kohë të vështira po afrojnë në vendin tonë, për shkak të lakmisë së pakufizuar të disave. Zoti na ndihmoftë.

Ramazan të mbarë, të dashur miq myslimanë!