Ngjarja e abuzimit me një të mitur në qytetin e Drenasit ka shokuar të gjithë. I trishtuar nga një ngjarje e tillë në të cilën janë përfshirë disa prej institucioneve themelore të shtetit, ka mbetur edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Sipas tij nëj gjendje e tillë është si rezultat i atyre që detyrën zyrtare e kanë bërë njësh me krimin.

“Rasti i abuzimit dhe dhunimit seksual të një qytetareje në moshë minore, i cili u publikua së fundmi, më ka tronditur. Abuzimi i saj, fillimisht prej mësuesit e më pas prej policit ku kishte shkuar të gjente mbrojtje, të trishton. Kjo është gjendja ku e kanë prurë shtetin dhe shoqërinë njerëzit që e kanë bërë njësh detyrën zyrtare e profesionale me krimin e kthyer në rutinë të përditshme, njerëzit që bëjnë çfarë të tjerët as s’e imagjinojnë dot vetëm pse munden, njerëzit që e dinë se ata nuk i ndjek ligji kurse viktimat e tyre nuk do t’i mbrojë ligji”, ka shkruar Kurti.

Ai thotë se e përkrah protestën qytetarë e cila dënon raste të tilla të abuzimit, edhe pse nuk gjendet në Kosovë.

“Ne duhet të tregojmë se shumica jonë nuk e duron abuzimin e atij që ndodhet në pozitën e të dobëtit. Shumica e mësuesve, shumica e policëve, shumica e mjekëve, shumica e qytetarëve, duan dhe do të solidarizohen me më të dobëtit. Prandaj e përkrah protestën qytetare, e më vjen keq që nuk jam aty, sepse gjendem në një vizitë zyrtare në Seul të Koresë së Jugut”, shton kreu i VV’së.

Kurti thotë se një kulturë e tillë është instaluar nga politikanët të cilët vazhdimisht abuzojnë me pushtetin.

“Kulturën e pandëshkueshmerisë, kulturën e abuzimit me pushtetin, e kemi peshqesh nga një lloj i caktuar politikanësh që kanë qeverisur deri më sot. Pushteti i tyre krijon lejen e abuzimit me të dobëtin, të varfrin, gruan, vartësin, minoritarin, sipas modelit mujshar të pushtetit të vjetër”, ka përfunduar Kurti.

Sot ndërkohë partia e tij së bashku me LDK’në, kanë thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth ngjarjes së fundit në Drenas, ku një e mitur dyshohet se u abuzua fillimisht nga mësuesi i saj dhe hetuesi policor të cilit iu ankua për rastin.