Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili ka fituar zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, ka deklaruar se me krijimin e qeverisë së re do të krijohet mundësia për të pasur drejtësi për Astrit Deharin.

Kurti pasi ka dhuruar gjak për trevjetorin e vdekjes së ish-aktivitetit të Lëvizjes Vetëvendosje, u shpreh se pas marrjes së mandatit si kryeministër i vendit, do të hiqet trysnia e Ekzekutivit mbi Prokurorinë e Kosovës dhe do të mund të fillojë një hetim i ri për zbardhjen e rastit.

“Duke pasur parasysh të gjeturat e raportit të Institutit të Lozanës për mjekësi ligjore, por duke pasur parasysh të gjeturat e mëhershme që janë bërë dhe me Qeverinë e re të Kosovës me siguri që do të hiqet trysnia e Ekzekutivit mbi Prokurorinë e Kosovës, posaçërisht asaj speciale dhe do të mund të fillojë një hetim i ri profesional dhe i pavarur, në mënyrë që sa më shpejt të zbardhet kjo çështje. Përfundimisht të trajtohet jo vetëm provat materiale, por edhe rrethanat faktike, si dhe procesi i deritanishëm, i cili nganjëherë nuk është zhvilluar mirë për shkak të ndikimit politik, e nganjëherë edhe për shkak të neglizhencës përbrenda mekanizmave shtetëror. Pra, natyrisht qe me Qeverinë e re do të krijohet mundësia për të pasur drejtësi për Astritin, sepse kjo është drejtësi për shtetin tonë, për popullin tonë, për qytetarët e Republikës, me qenë se padrejtësinë për Astritin edhe shteti i së drejtës në vendin tonë ngelet shumë i mangët”, tha ai.

Astrit Dehari u arrestua fillimisht si i dyshuar për sulm mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosjes. Ai vdiq në vitin 2016 në rrethana dyshuese derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit.

Së fundi, rasti i tij ka kaluar në juridiksionin e Prokurorisë Speciale, nga Prokuroria Themelore në Prizren, pas arritjes së ekspertizës nga një Institut i pavarur në Zvicër, ku nuk përjashtohet mundësia e vrasjes./kp

loading…