Kurti: Qeveria do të kujdeset për modernizimin e ushtrisë me pajisje e armatim

Kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj kanë vizituar sot kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gjilan.

Kurti tha se Ushtria e Kosovës është ëndrra dhe amaneti i brezave ndër vite që sakrifikuan të vlefshëm dhe dhanë jetën për liri.

“Me shërbimin tuaj fisnik përgatiteni çdo ditë ta mbroni Atdheun. S’kam se si të mos ndjehem i nderuar dhe krenar dhe s’ka mënyrë më të mirë për të filluar vitin e ri. Këmbësoria si degë më e vjetër e ushtrisë dëshmon se teknologjia dhe pajisjet ushtarake sado të sofistikuara nuk mund të zëvendësojnë vrullin dhe fuqinë e luftarakut. Kjo e shton përgjegjësinë e secilit prej juve që me moral të lartë e përkushtim intensiv e me punë ekipore të veproni bashkë, shumë bashkë, aq bashkë saqë sikur një. FSK, çdo ditë e rritet me kapacitetet e saj duke dëshmuar se është gati për përgjegjësi të reja. Në vitin që lamë pas FSK-ja sërish ka treguar profesionalizëm të lartë, e përkushtim në paqe e siguri”, tha Kurti.

Kurti shtoi Qeveria do të ofrojë mbështetje për rritjen e kapaciteteve të ushtrisë.

“Qeveria e Kosovës e merr me shumë përkushtim modernizimin e ushtrisë si në pajisje e armatim ashtu edhe në kushtet e shërbimit dhe në ofrimin e mundësive ku ju mund të tregoni shkathtësitë tuaja ushtarake”, tha Kurti.