Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje ka pretenduar se partitë e tjera janë shumë të pakënaqura me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, ani pse vetë ai nuk i mori 500 mijë “zemrat” e përmendura gjatë fushatës.

Kurti, në një intervistë në “Tëvë1”, ka pretenduar se partitë e tjera po u bëjnë trysni deputetëve të tyre që të mos afrohen me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Është një trysni e madhe mbi disa deputetë të partive opozitare që të mos afrohen me Lëvizjen Vetëvendosje, të mos e konsiderojnë Albulena Haxhiun. Trysnia është brenda grupeve parlamentare, dhe besoj që me votën e fshehtë, ata deputetë do të ishin të lirë ta shprehin vullnetin me votën e tyre. Janë nën trysni. Kur trysnia rritet, nuk e di se çka ndodh, por kjo do të bëhej joefektive me votim të fshehtë. Janë në trysni nga udhëheqjet e partive politike dhe nga liderët politikë. Këtë po e bëjnë për shkak se, në njërën anë, janë shumë të pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve – kanë menduar se VV do të jetë nën 40 deputetë” – ka thënë ai.

Këtu, gazetari ndërhyri duke i thënë: “Po as ju nuk jeni shumë të kënaqur.”

“Ne jemi shumë mirë. I kemi kërkuar 500 mijë, i kemi marrë gati 400 mijë. Në vend të 5-shes shkëlqyeshëm, kemi marrë 4 – jemi shumë mirë. Ata s’janë as mirë” – tha ai.