Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Ambasadorin William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, për të diskutuar një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe tragjike të historisë moderne të Kosovës: Masakrën e Reçakut dhe dëshminë e paçmueshme të Ambasadorit Walker për këto ngjarje.
Kurti shprehu mirënjohjen për angazhimin e Ambasadorit Walker në mbështetje të së vërtetës dhe drejtësisë.
”Në këtë takim, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për angazhimin e Ambasadorit Walker në mbështetje të së vërtetës dhe drejtësisë, si dhe për kontributin e tij në përkujdesjen dhe promovimin e ndihmës ndërkombëtare gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Theksoi rolin domethënës dhe proaktiv të Qeverisë së Kosovës në përpjekjet për ta bërë të mundur botimin e librit të memoarëve të Ambasadorit Walker, i cili dokumenton ngjarjet e tmerrshme të Masakrës së Reçakut” thuhet në njoftim.
Kurti shtoi se ky libër dhe këto dëshmi të Ambasadorit Walker do të shërbejnë si një mjet për promovimin e së vërtetës për Kosovën dhe për forcimin e narrativës ndërkombëtare që vendi ynë ka përjetuar gjenocid nga ana e shtetit të Serbisë.







