Kurti pret xhudistët kampionë, mahnitet me rezultatet e tyre

Kryeministri Albin Kurti priti sot në një takim xhudistët kosovarë, të cilët u kthyen me suksese të mëdha nga kampionati evropian i xhudos.

Së bashku me xhudisten Distria Krasniqi, e cila fitoi medaljen e artë në kampionat, xhudistin Akil Gjakova, i cili po ashtu fitoi medalje të artë dhe Nora Gjakova medaljen e bronztë, ishin edhe trajneri i tyre Driton Kuka dhe kryetari i Federatës së xhudos së Kosovës, Agron Kuka.

Kryeministri Kurti uroi xhudistët për performancën e tyre në kampionatin evropian që u zhvillua nga 16-18 prill, në Lisbonë të Portugalisë.

Kurti falënderoi kryetarin e Federatës së xhudos dhe trajnerin Driton Kuka për punën e pandalshme dhe kontributin e tyre për konsolidimin e imazhit shtetëror në arenën ndërkombëtare.

“Është kënaqësi shumë e madhe të shoh Kosovën të renditet e para në mesin e 45 shteteve të Evropës”, tha Kurti.

Me urim të veçantë iu drejtua, ndërkaq, xhudistit Akil Gjakova, i cili për herë të parë u shpall kampion i Evropës dhe solli medaljen e parë ndërkombëtare në kategorinë e meshkujve.

Gjatë takimit u diskutua për qytetin e Pejës si vend me histori dhe traditë në sportin e xhudos, dhe kryeministri Kurti vuri në pah faktin se si një lagje e Pejës po prodhon kampionë të nivelit ndërkombëtar.

Kryetari i Federatës së xhudos, Agron Kuka dhe trajneri Driton Kuka i uruan kryeministrit për detyrën, duke i dëshiruar shumë suksese dhe veçanërisht i kërkuan mbështetje për rregullimin e problematikave me të cilat sfidohet sektori i sportit.

Trajneri Driton Kuka shpalosi pritjet e tij për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, teksa tha se “reprezentacioni jonë ka mundësi të mëdha për të fituar medalje Olimpike”.

Në takim morën pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja Daulina Osmani, të cilët shprehën gatishmërinë e tyre për përkrahjen maksimale të sportistëve kosovarë, duke shpresuar se edhe sportet e tjera do të ndjekin rrugën e sukseseve të sportit të xhudos.