​Kurti: Preokupimet kryesore, hapja e arkivave në Beograd, zbulimi i varrezave masive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas Krushës së Madhe ka bërë sot homazhe edhe në Krushë të Vogël. Derisa ka kujtuar gjithë të rënët për liri, Kurti ka deklaruar se ndër qëllimet e institucioneve për të pagjeturit është hapja e arkivave në Beograd, pasi sipas tij, atje është e vërteta për planet gjenocidiale të Serbisë që kanë rezultuar me qindra masakra në Kosovë. Ai ka thënë se qëllimi tjetër është zbulimi i varrezave të reja masive.

Po ashtu, kryeministri Kurti ka thënë se me krenari dhe përgjegjësi është prioritet i qeverisë dhe institucioneve për drejtësi e rehabilitim që t’i mbajnë lart figurat e gjithë të rënëve për liri.

“Nga Krusha e Madhe ku kemi aq shumë varre e nuk e kemi Ukshin Hotin ende, erdhëm në Krushë të Vogël, në këtë vend që është një dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë. Meqenëse, këtu para 24 vjetëve, forcat policore ushtarake të Serbisë rrethuan fshatin dhe u përpoqën të shfarosin gjithë shqiptarët, duke i vrarë jo të gjithë burrat, por edhe fëmijë. Kjo ishte përpjekje e tyre që në vendin tonë të mos ngelen njerëzit tanë, pjesë e operacionit të tyre patkojë që e kishte gjenocidin për kryefjalë të projektit serbomadh. Ne me pikëllim e dhembje kujtojmë humbjet dhe vuajtjet, por në të njëjtën kohë me krenari dhe përgjegjësi do t’i mbajmë lart në prioritet e qeverisë tonë e të institucioneve për drejtësi e rehabilitim”, ka thënë Kurit.

Mes tjerash, Kurti ka folur edhe për numrin e madh të të pagjeturve, me ç’rast, ka thënë se ata nuk janë thjesht të pagjetur, por të zhdukur me dhunë.

“Ata nuk janë thjeshtë vetëm të pagjetur, ata janë të zhdukur me dhunë dhe dy janë preukupimet tona kryesore, hapja e arkivave në Beograd, meqenëse atje është e vërteta për planet gjenocidiale të Serbisë që rezultuan me qindra masakra në Kosovë dhe tjetra është edhe zbulimi i varrezave të reja masive, e dihet që një gjë e tillë ka hasur në shumë obsduksione dhe pengesa në Serbi, ku në pesë varreza masive janë zbuluar tashmë në vitet e shkuara afër 1 mijë trupa të shqiptarëve, por natyrisht që ne dyshojmë se ka edhe të tjera. Por, asnjëherë nuk ka qenë e lehtë, e ndihmuar kërkesa dhe hulumtimi për varreza të tjera”, është shprehur ai.

I pyetur nëse do të kërkojë qe Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq të kërkojë falje për të gjitha masakrat në Kosovë, Kurti ka thënë se këtu bëhet fjalë për njerëz, të cilët i mohojnë krimet.

Ai ka potencuar se Serbia ka mohuar edhe dëshmitë e ambasadorit, William Walker për masakrën e Reçakut.

“Ata nuk po i pranojnë krimet e kryera këtu, bëhet fjalë për njerëz, të cilët mohojnë krimet. Masakrën e Reçakut ata kanë thënë se është e fabrikuara dhe me ofendimet me të rënda i janë drejtuar edhe ish ambasadorit, William Walker, i cili ishte dëshmitar i asaj masakre. Meqenëse, kur trupat e të vrarëve ishin ende kufoma të ngrohta, ai i vizitoi dhe dëshmoi për ato krime lufte, krime kundër njerëzimit e që janë edhe gjenocid njëkohësisht”, është shprehur mes tjerash Kurti.

Kryesuesi i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti ka thënë se një nder prioritetet kryesore të qeverisë është edhe zbardhja e fatit të personave të zhdukur me forcë.

Për këtë, ai ka thënë se kanë arritur që këtë çështje ta fusin në aneksin e implementimit të marrëveshjes së planit franko-gjerman apo marrëveshjes së Ohrit, mes Kosovës dhe Serbisë, për çka shpreson në ndikimin e BE-së dhe ShBA-ve në kushtëzimin e tyre ndaj Serbisë që të jepen arkivat e saj, që pas 24 vitesh familjeve të personave të zhdukur të paktën t’u lehtësohet dhimbja.

“Një ndër prioritetet të qeverisë së Kosovës është edhe zbardhja e fatit të personave të zhdukur me forcë. Tashmë kemi arritur me një mund të madh më fut në aneksin e implementimit të marrëveshjes së planit franko gjerman, marrëveshjes e Ohrit. Dhe tashmë, Serbia në implementimin e saj, sepse ne e njohim Serbinë dhe nuk është se i besojmë ndonjëri prej neve, por nëse ajo fillon implementimin e saj e ka për obligim në radhë të parë t’i pranojë ashtu siç janë të shkruara në deklaratën e personave të zhdukur të Brukselit që do të nënshkruhet drejt, kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, si persona të zhdukur me forcë dhe që e ka bazën në Konventën Ndërkombëtare të OKB-së. Po ashtu, e ka për obligim të dorëzojë të gjitha arkivat e saja si audio, video dhe te shkruara të klasifikuara, sepse ky është qëllimi jonë, të hymë në arkivat e klasifikuara të Serbisë, të hymë në urdhëratë e ushtrisë dhe policisë serbe për këto krime që kanë bërë. Ne shpresojmë në ndikimin e BE-së dhe ShBA-ve që do të ushtrojnë jo vetëm presionin e tyre, sepse presionin e tyre tash e 23 vite e kemi parë ku ka sjellë rezultate, por shpresojmë në kushtëzimin e tyre ndaj Serbisë që neve të na jepen këto arkiva dhe informacione dhe më në fund pas 24 viteve, familjet e personave të zhdukur t’u lehtësohet dhimbja pasi nuk mund t’ua largojmë”, ka shtuar Hoti.