Kurti: Viti 2021 e gjen Kosovën me qeveri stabile, le ta shfrytëzojmë për investime

Kryeministri Albin Kurti mori sot pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Shoqatës së Miqësisë Austriake-Kosovare, krahas deputetit të Parlamentit Evropian, njëherësh president i kësaj shoqate Lukas Mandl, sekretares së Shtetit Ulrike Lunacek, konsullit të nderit Manfred Brandner dhe sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës së Miqësisë Austriake-Kosovare, Arber Marku.

Në hapje të takimit, Kurti tha se populli austriak ishte një zë i fuqishëm në mbështetjen e përpjekjes së Kosovës për liri, pavarësi dhe një jetë me dinjitet.

“Jo vetëm gjatë luftës, si një strehë nga regjimi serb, por edhe pas luftës, dyert e saj (Austrisë) ishin të hapura. Universitetet prestigjioze pranuan të rinjtë tanë dhe u siguruan atyre arsim të përballueshëm dhe me cilësi të lartë,” tha Kurti.

Ai e vlerësoi Austrinë si një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Kosovës, me investime që janë në rritje të qëndrueshme dhe me organizatat shtetërore si ADA, që mbështesin Kosovën me programe të ndryshme në arsimin e lartë.

Gjatë këtij takimi, kryeministri Kurti u bëri thirrje mërgimtarëve, sipërmarrësve dhe investitorëve të mundshëm, që të përqendrojnë investimet e tyre veçanërisht në fushën e teknologjisë së informacionit, bujqësisë dhe përpunimit të ushqimit, si edhe në prodhim dhe në fushën e turizmit.

“2021-ta e gjen Kosovën me një qeveri stabile dhe me shumicë në parlament. Le ta shfrytëzojmë këtë momentum dhe të vazhdojmë të ndërtojmë miqësinë tonë prosperuese”, tha Kurti në fund të fjalimit.