“Kurti po shkon hapave të Millosheviqit”, Gjuriq reagon për zgjedhjet në veri

Ambasadori serb në Uashington, Marko Gjuriq, përmes një serie cicërimash në Twitter ka shkruar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “po ndjek hapat e Sllobodan Millosheviqit”, koment këtë të cilin e bëri në kontekstin e zgjedhjeve në katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe dhe pjesëmarrjen më se minimale të serbëve në to.

“Është e çuditshme se si Kurti po ndjek hapat e Slobodan Millosheviqit. Neve na duhet një mendësi krejt tjetër nëse duam të presim që rezultati të jetë ndryshe”, ka shkruar ai.

Zgjedhjet në katër komunat veriore Gjuriq i quajti “tallje” dhe hapa të mbrapsht në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Asnjë nga shqetësimet legjitime e të bazuara në marrëveshje të serbëve nuk janë përmbushur. Pozicioni i tyre vazhdimisht është duke u përkeqësuar që një vit e gjysmë tashmë”, ka shkruar ai.

“Qeveria e Kurtit është duke u tallur me komunitetin ndërkombëtar duke zhbërë marrëveshjet përmes hapave të njëanshëm në terren dhe duke brutalizuar me serbët në Kosovë në cilëndo mundësi që ka”, ka vazhduar ai.