Kurti përshkruan vizitën në Drenicë e Mitrovicë: Ka kafshë të ngordhura, ka rrezik për epidemi

Kryeministri Albin Kurti i pa vet sot pasojat e vërshimeve që kanë prekur disa komuna të vendit. Në dy prej tyre, në Skenderaj dhe Mitrovicë, Kurti ishte sot bashkë me dy ministra.

Kurti në në postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se në këto dy komuna kë dëme të konsiderueshme materiale, përfshirë infrastrukturën publike, bujqësinë e blegtorinë.

“Nëpër muret e ndërtesave kishte ngelur lart vija e gjurmës deri ku kishte arritur përmbytja ndërkaq brigjet e deformuara të lumenjve si dhe arat rrotull janë përplot bërllog. Vërshimi në fshatin Lisicë të Mitrovicës, sipas banorëve, është pasojë e shtyrjes për afër 300 metra të rrjedhës së lumit Ibër si rezultat i ndërtimit të stadiumit në pjesën veriore të qytetit”, shkroi Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit, pa ndërhyrje:

Në Skënderaj dhe Mitrovicë isha sot bashkë me ministrat Mehaj e Krasniqi, dhe zëvendësministrat Gashani e Dobra. Duke ju falenderuar angazhimit dhe solidaritetit të të gjithëve me njëri-tjetrin nuk kemi jetë të humbura nga vërshimet. Ka dëme të konsiderueshme materiale: janë dëmtuar ndërtesa e infrastrukturë publike, shtëpi banimi, ferma bujqësore e biznese. Në Skënderaj janë rrënuar ose dëmtuar nëntë ura të vogla kurse në Llaushë vizituam një fermer të cilit i janë mbytur mbi 10 mijë pula. Nëpër muret e ndërtesave kishte ngelur lart vija e gjurmës deri ku kishte arritur përmbytja ndërkaq brigjet e deformuara të lumenjve si dhe arat rrotull janë përplot bërllog. Vërshimi në fshatin Lisicë të Mitrovicës, sipas banorëve, është pasojë e shtyrjes për afër 300 metra të rrjedhës së lumit Ibër si rezultat i ndërtimit të stadiumit në pjesën veriore të qytetit. Ibri e Sitnica janë bërë bashkë dhe janë shndërruar në liqe. Ka jo pak kafshë të ngordhura, andaj edhe rrezik për epidemi. Pas takimeve me kryetarët e këtyre dy komunave, Fadil Nurën dhe Bedri Hamzën, vizituam bashkë disa vendbanime të përmbytura.

Pjesëtarët e FSK-së e të policisë, zjarrfikësve dhe ndërmarrjeve publike u kanë shpërndarë ushqim, veshmbathje e batanije, barna e pako higjienike, familjeve të evakuuara. Qeveria dhe komunat po punojnë bashkë në mbështetjen e qytetarëve dhe tejkalimin e kësaj situate.