Kurti përkujton sulmin ndaj “Kullave Binjake”: Ne e dimë se çdo të thotë humbja e njerëzve të pafajshëm

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përkujtuar sulmin terrorist të 11 shtatorit 2001 ndaj “Kullave Binjake” në New York, me rastin e 18 vjetorit të këtij sulmi.

Kurti ka thënë se Kosova bashkëndjen me popullin amerikan, pasi e din se çdo të thotë humbja e njerëzve të pafajshëm, duke përmendur të varët e të zhdukurit në luftën e fundit në Kosovë.

“Kosova bashkëndjen thellë me dhimbjen e popullit amerikan dhe familjet e viktimave. Ne e dimë se çdo të thotë humbja e njerëzve të pafajshëm pasi edhe sot jetojmë çdo ditë me dhimbjet dhe pasojat e luftës, me ankthin dhe vuajtjet për ata që ende janë të pagjetur”, ka shkruar kreu i VV-së në facebook.

Ai tutje ka shprehur mirënjohje ndaj popullit amerikan dhe qëllimin e Kosovës për luftimin e terrorizmit.

“Ne jemi mirënjohës për ndihmën, përkrahjen dhe miqësinë e popullit amerikan dhe të vendosur për luftimin e terrorizmit të të gjitha ngjyrave dhe krahëve”, ka përfunduar Kurti.

Më 11 shtator 2001 në ShBA ndodhi një sulm terrorist ndaj të ashtuquajtuarve “Kullat Binjake”, me ç’rast humbën jetën mijëra qytetarë të ardhur nga e gjitha bota.

loading…