Lëvizja Vetëvendosje

Kurti përçan skenën politike në Luginë, pozicionohet prapa një liste

Lëvizja Vetëvendosje, partia që drejton kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dalë haptas në mbështetje të një liste shqiptare në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi.

LVV në krye me Kurtin po bëjnë përçarje të skenës politike në Luginë, duke u pozicionuar prapa listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, raporton Paparaci.

Përmes një njoftimi publik, LVV thekson se e mbështesin pa rezerva listën, ku bartës do të jetë Shaip Kamberi (PVD), dhe mbështetet nga Ragmi Mustafa (PDSH), Shqiprim Musliu (LPD), Naser Azeri (UDSH) dhe Armend Aliu (Lëvizja për Luginën).

“Lëvizja VETËVENDOSJE! do të mbështesë Listën “Beteja politike vazhdon – Shaip Kamberi” me numër 13 në fletën e votimit. Nesër në Prishtinë do të organizohet një tubim në organizuar nga Lista, ku janë të ftuar të gjithë e posaçërisht ata që kanë prejardhje nga Lugina”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkohë, në zgjedhjet e 17 dhjetorit nga Lugina marrin pjesë edhe “Koalicioni ADSH – Lugina e Bashkuar” me dy subjekt politike APN që drejtohet nga Shqiprim Arifi dhe LR në krye me Sami Salihun.

Ndërsa Partia Demokratike (PD) që udhëhiqet nga kryetari aktual i Bujanocit, Nagip Arifi edhe pse ishte e gatshme për këto zgjedhje, si rezultat i mosunitetit të partive shqipare për të krijuar një listë të përbashkët është tërhequr dhe nuk merr pjesë në këto zgjedhje ku shqiptarët janë të ndarë në dy lista.

Kujtojmë se Kurti, para disa jave ka pritur në takim përfaqësuesit politik në Luginën e Preshevës në përpjekje për bashkimin e tyre në një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare në Serbi, pati raportuar Paparaci. Mirëpo edhe pas disa takimeve, një gjë e tillë nuk u arrit.

Dalja në zgjedhje me një listë të përbashkët nuk u arrit pasi që të dyja palët, Shaip Kamberi dhe Shqiprim Arifi kërkuan numrin 1 në listë.