Kurti për gazetën spanjolle thotë se dy herë ka qenë në veri të Mitrovicës, Trumpin sërish e lidh me Serbinë

Kryeministri Albin Kurti ka folur për gazetën më të madhe spanjolle, El Pais. Ai është pyetur nëse ka qenë ndonjëherë në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Kam qenë disa herë atje (në Mitrovicë të Veriut) gjatë kohës sa isha në opozitë. Dhe si kryeministër, dy herë…” – tha ai, duke vazhduar të tregonte se në fakt kishte qasje liberale ndaj serbëve të vendit.

Kurti u pyet edhe për tensionet e fundit që rezultuan edhe në barrikada. “Origjina e tensioneve është që Serbia e ka refuzuar propozimin e BE-së (franko-gjerman). Sepse ata kanë, në një anë, një qasje brutalisht oportuniste ndaj luftës në Ukrainë. Po marrin gazin më të lirë nga Rusia ndërsa presin për rezultatet e luftës. Në tjetrën anë, ata po presin që të shohin nëse ka ndryshim të administratës në Shtetet e Bashkuara, që do t’iu shkonte në favor, në zgjedhjet e vitit 2024”, u shpreh Kurti.

Aktualisht, president i ShBA-ve është Joe Biden e të cilin e kishte përkrahur edhe Kurti gjatë fushatës elektorale. Ndërkohë, kandidaturën e tij për të fituar nominimin e Partisë Republikane që të kthehet si president e ka shpallur Donald Trumpi.

“Mendoj se na duhet një marrëveshje sa më parë që të jetë e mundur. Sepse mungesa e marrëveshjes rrit tensionet. Dhe bën që Rusia të provojë e ta shpërndajë luftën në Ukrainë në zona tjera”, tha më pas Kurti.

Kryeministri Kurti e bëri një shpjegim mjaft interesant edhe të dallimeve mes rastit të Kosovës dhe atij të Baskëve dhe Katalonisë.

“Në ish Jugosllavi, ne ishim më të varfrit dhe më të shfrytëzuarit. Ndërsa Katalonia dhe Baskët janë më të pasurit në Spanjë. Ne deshëm të ishin si pjesa tjetër e vendit, por ata na shtypën. Çështja jonë ishte koloniale, si ajo e Algjerisë me Francën.” – u shpreh z. Kurti në përgjigjen e tij.

Ai po ashtu e quajti “mik” kryeministrin e Spanjës Pedro Sanchez, për të cilin tha se e ka takuar në samitin e Internacionales Socialiste.

Por, Kurti pati edhe fjalë të tjera për zhvillimin politik në Spanjë.

“Në Spanjë, të cilin e mendoj si shtet demokratik, nuk mendoj se ka ndonjë gjë që nuk mund të zgjidhet mes Madridit dhe Barcelonës pa dialog. Problemi që ne kemi me Serbinë është që ajo është autokraci. Ka parti, lider, kishë. Dhe me lidhje të afërta me Rusinë. Nëse Madridi do të sillej si Beogradi, unë do të takohesha me Kataloninë”, tha Kurti.