Vendimet

Kurti për 100 ditshin, flet për borde të pavarura edhe pse emëroi njerëz të VV-së në to

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur para ministrave në mbledhjen e qeverisë për punën e bërë në 100 ditshin e punës.

Kurti ka thënë para ministrave në detyrë se veprimet e punët e para të kësaj qeverie kishin të bëjnë me ndalim të korrupsionit e ndaljen e kapjes së shtetit.

“Prioritetet e kësaj qeverie ishin përcaktuar nga vetë qytetarët, menjëherë pas zgjedhjes së qeverisë kemi filluar me veprime për ndalimin e korrupsionit e ç’kapjen e shtetit. Dua të shpjegoj pak më ndryshe punën e mirë të bërë nga kabineti ynë bashkërisht. Puna duhet parë nga dy veprime që ndërthuren me njëra tjetrën. Veprimi i parë ishte ndalimi i humbjes dhe keqpërdorimi i parasë publike. Jemi duke ndalur një praktikë që qeveritë e kaluara i përdornin taksat për të zgjedhur probleme partiake e familjare.

Mbetët dikush pa punë e pa pozitë shtoje një ministri, zëvendësministra, paska mbetë ndonjë familjar e kushëri pa punë, pa problem hape një konkurs në administratë e rehatojë atë”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se Kosova është vend i varfër, e për këtë arsye është bërë zvogëlimi i pagave në kabinetin qeveritar, e rritja e cilësisë.

“Në këtë drejtim duhet të shihet edhe zvogëlimi i kabinetit qeveritar e rritje e cilësisë, duke i ulur pagat ne mundohemi t’i largojmë profiterët.  Kabinet të vogël sepse jemi vend i vogël dhe paga të vogla sepse jemi vend i varfër. Vendimi i dytë ishte ministrat e pa korruptuar e ndërtimi i bordeve publike. Ju ftoj që përtej vendimeve që marrim të gjykoni edhe modelin e qeverisjes që po ndërtojmë, për mua ka rëndësi që prindërit në Gjakovë apo Drenas që i rrisin fëmijët me vlera e parime të besojnë që shteti ku jetojnë i çmon ata.  Janë marrë dhjetëra vendime të secilës ministri veçanërisht”, tha Kurti teksa ka përmendur edhe kursimet që sipas tij do të bëhen pas uljes së pagave për dikastere, e shpenzime tjera për telefona, dreka e darka.

“Ka bileta aeroplani 2 mijë euro e 200 euro, kur je qeveritar i një vendi të vogël nuk duhet të kompleksohesh, ne jemi vend i varfër nuk është vendi jonë ku shuhen komplekset e jetës luksoze, nëse e ke qëllim pasurimin me çdo kusht atëherë pasurojeni popullin. Unë kështu e shoh qeverinë dhe funksionin e karriges së kryeministrit.

Nga ministri i bujqësisë nuk janë vazhduar mbi 60 kontrata afatshkurta që ishin vazhduar në mënyrë të jashtëligjshme”, ka thënë Kurti, teksa ka përmendur punën e ministrave për këtë 100 ditësh.