Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se “i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë” në vrasjen makabre të 35-vjeçares Hamdie Magashi nga ish-bashkëshorti Sokol Halili, duhet të japë dorëheqje.

Ai ka njoftuar se sot është mbledhur Grupi Ndërministror kundër dhunës në familje, dhe se ua ka aprovuar kërkesat në lidhje me hetimin tutje të rastit, shkruan Demokracia.com.

Kurti po ashtu ka thënë se duhet të ndahet urgjentisht mjete për për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës

Në kuadër të hetimeve, ai tha se po inspektohen zyrtarët policorë, Qendrat për Punë Sociale, si dhe reparti i Gjinekologjisë në QKUK, në oborrin e të cilës edhe u krye vrasja.

“Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur. Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje”, tha ai. /Reporteri.net/.