Kurti pas takimit me Escobarin: Në Ohër udhëtojmë me vullnet, qëllim dhe besim të mirë

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot zëvendës ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas njoftimit të qeverisë, bashkë me Escobarin dhe ekipin e tij në takim ishte edhe zëvendësambasadorja e ShBA-ve në Kosovë, Alyson Grunder.

“U diskutua për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim. Ai falënderoi z. Escobar për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog. Propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”, thuhet në fund të njoftimit.