Kurti pas takimit me Bakoyannis, vlerëson nivelin aktual të marrëdhënieve me Greqinë, veçanërisht me Athinën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, priti në takim kryetarin e Athinës, Kostas Bakoyannis, i cili e përgëzoi për zgjedhjen kryeministër dhe për stabilitetin që ka sjellë në vend fitorja në zgjedhje, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

“Kryeministri Kurti e vlerësoi nivelin aktual të marrëdhënieve me Greqinë, veçanërisht me Athinën, dhe shprehu interesin që të zgjerohet edhe më tej ky bashkëpunim.  Kryetari Bakoyannis shprehu bindjen se zbatimi i reformave të nevojshme në Kosovë, në përputhje me rekomandimet e BE-së, do të fuqizojë perspektivën evropiane të Kosovës. Ai përsëriti mbështetjen e Greqisë në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. U bisedua për gjendjen në ballafaqim me pandeminë COVID-19, mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë për të dy vendet dhe popujt”, thuhet tutje.

Kryetarin e Athinës e ka pritur edhe homologu i tij, Shpend Ahmeti.