Kurti: Nuk gabuam që e anuluam termocentralin e ri

Kryeministri Albin Kurti po zhvillon vizitat nëpër termocentralet e përdorura për furnizimin e energjisë elektrike, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Kurti përpara mediave deklaroi se nuk e sheh të gabuar dështimin e ndërtimit të një termocentrali të ri, pasi sipas tij, Kosova do të përballej me shpenzimet e fitimeve të investitorëve, shkruan lajmi.net.

“Nuk mendoj që ka qenë gabim. Çfarëdo investimi duhet ta ketë kushtetutën e ligjin për bazë dhe duhet t’i shërbejë interesit publik. Ndërkaq aty ka qenë 18.5 për qind shkalla e kthimit të brendshëm ne kapital me ç’rast shteti ynë barte rreziqet e humbjes ndërkaq privati fitimet”, deklaroi ai.

“Nuk ka qenë aspak projekt i leverdishëm e nuk do mend që nuk ishte e rastësishme që dështoi në fund me tërheqjen e vetë investitorit. Ne kemi nevojë për strategji për energji, e jo projekte para strategjisë por strategjia para projektit”, ka thënë kryeministri në takim.

Në programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021 – 2025 qeveria Kurti ka bërë të ditur se ka hequr dorë nga ndërtimi i termocentralit të ri.

“Do të zbatojmë masat ambientale në termocentralin Kosova B dhe dekomisionimin e aseteve jo-funksionale të Kosovës A. Rëndësi e veçantë do t’i kushtohet shqyrtimit të fizibilitetit të të gjitha mundësive për zhvillimin e sistemit të gazit natyror, si dhe krijimit të tregut sa më konkurrues energjetik. Nëpërmjet Fondit për Efiçiencë të Energjisë (EE), i cili do të jetë i qëndrueshëm financiarisht, do të zbatojmë masat e EE, me synim që skemat financiare të shtrihen edhe në mbështetjen e sektorit privat dhe amvisëri”, thuhet në kapitullin e çështjen e energjisë