Kurti: “Non-paperat” vijnë nga Beogradi dhe Rusia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë detaje nga takimet e tij të shumta gjatë vizitës dyditore në Bruksel, ku është takuar me zyrtarë evropianë, si dhe kreun e NATO-s, teksa ka komentuar edhe dokumentet e fundit që po qarkullojnë në media për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë vizitës në kryeqytetin evropian, i pari i Qeverisë së Kosovës është takuar me presidenten e KE-së Ursula von der Leyen, komisionarët për Zgjerim dhe Politikë e Siguri, si dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

Kurti tha se këto takime u përqendruan në çështjen e pandemisë që Kosovën e ka goditur rëndë. Ai ka kujtuar se Kosova ka shpenzuar 24 mijë dozat e para të vaksinës që mori në muajin mars dhe tash pret që një pjesë e 95 mijë vaksinave të ardhshme, të premtuara nga von Der Leyen, do të vijnë ditëve të ardhshme.

“Vaksinimi është i rëndësishëm edhe për ardhjen e mërgatës kosovare në korrik dhe gusht, si dhe të kontribuohet në zhvillimin ekonomik”, tha Kurti në një intervistë nga Brukseli për RTK-në.

Kurti ka folur edhe për vazhdimin e procesit të dialogut me Serbinë, duke thënë se gjatë takimit me shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell, ia ka bërë të ditur këtij të fundit, se nuk do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq më 11 maj.

“Pa u pajtuar të gjithë nuk mund të kemi datë të takimit dhe as agjendë të takimit. Unë do të vijë serish në Bruksel, në një darkë pune, organizuar nga Josep Borrell, me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor. Sot shpreha qëndrimin tonë se takimi më 11 maj nuk është në interesin tonë sepse kemi agjendë tjetër, por që kjo të mbahet në qershor. Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për dialog parimor, ku bashkëbiseduesit janë të barabartë. Ne duhet të përgatitemi mirë për dialog”, ka thënë Kurti.

Për më tepër, kryeministri Kurti ka theksuar se në muajin maj dëshiron të takojë edhe liderët e partive opozitare kosovare për t’u dakorduar për dialogun me Serbinë.

Ai ka hedhur poshtë mundësinë që të ketë vonesa në procesin e dialogut, duke thënë se ka pasur shumë episode të ngutshme, nga të cilat kanë pasuar dështime.

I pyetur nëse takimi me Vuçiq, i cili nuk dihet nëse do të mbahet në maj apo qershor, do të jetë vazhdim i dialogut të mbetur në shtatorin 2020, Kurti tha se “nuk mund të ketë qasje në kapitujt e vjetër me qeverinë e re”.

Ai ndërkaq ka komentuar edhe dokumentet “non-paper” që po qarkullojnë kohëve të fundit në media, e që kanë të bëjnë për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor.

“Është koha e fundit që pavarësia e Kosovës të njihet nga Serbia. Të gjithë no paperët pa autorë, mbase janë në kuadër të testimit të opinionit publik. Mua po më ngjajnë se ato vijnë nga vetë Beogradi. Serbia synon ta hapë paketën e Ahtisaarit. Unë si kryeministër e mbroj pavarësinë e Kosovës. Plani i Ahtisaarit ishte kompromis i dhimbshëm. Serbia tash vazhdon ta sulmojë paketën e Ahtisaarit që të marrë më shumë”, tha Kurti, duke shtuar se Serbia synon bosnjëzimin e Kosovës që ta bëjë këtë të fundit shtet të dështuar.

Ndryshe, Bashkimi Evropian mohon se dokumenti “non-paper” i publikuar në media e që flet për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë është qëndrim i Bashkimit Evropian.

Dokumenti “non-paper” është quajtur nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde si lajm i rremë, se ai dokument është hartuar nga gjermanët dhe francezët.

Edhe Ambasada e Francës në Kosovës ka deklaruar se Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i atij “non-paper” dhe se dy shtetet mbështesin ndërmjetësimin e dialogut nga Bashkimi Evropian.

Reagim ka pasur edhe nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili tha se “non-paper” lidhur me marrëveshjen që duhet të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë botuar nga mediat në Prishtinë u ideua nga dikush shumë më i zgjuar dhe më dinak se ai.

“Non-paper” u raportua më 26 prill si njohje e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, dokumenti “non-paper” – i mohuar zyrtarisht – përfshin shumë më shumë se kaq. Thotë se do të krijohet një “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, që nga përshkrimi duket me kompetenca gati sa të shtetit. Përdoret termi “Kosovë Veriore”, e jo veriu i Kosovës. Pastaj thuhet se palët, pra Kosova e Serbia, duhet të bëjnë ndryshime kushtetuese që të mund të zbatohet kjo marrëveshje.

Paraprakisht, portali slloven “Necenzurirano.si” publikoi një dokument tjetër që pretendon se është kopje e dokumentit të dalë nga zyra e kryeministrit slloven Janez Jansha.

Sipas atij dokumenti propozohet ri-përcaktimi i kufirit të Kosovës dhe Serbisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, mundësia e shkëputjes së Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina, si dhe bashkimi i një pjese të Bosnjës perëndimore me Kroacinë.

Në Bashkimin Evropian thanë disa herë se nuk kanë njohuri për një dokument të tillë.

Kryeministri Janez Jansha, vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian në pjesën e dytë të këtij viti, shkroi se pretendimet për një dokument të tillë janë veprime që synojnë “të dëmtojnë Slloveninë në BE”.