Kurti nga Amerika flet për vendimet e djeshme: Sanksione shtesë ndaj Federatës Ruse

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar rreth vendimeve që janë marrë nga Qeveria e Kosovës, ku ka përmendur sanksionet shtesë të vendosura ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurti, ka thënë se Kosova është ndër të parat që është rreshtuar më botën demokratike në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe se sanksionet e reja kanë ardhur në përputhje me paketën e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Në mbledhjen e 78 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, miratuam vendime të rëndësishme për Republikën dhe për sigurinë e paqen ndërkombëtare. Republika jonë është ndër të parat që është rreshtuar me botën demokratike në vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, pas invazionit dhe agresionit ushtarak në Ukrainë. Andaj, në raport me situatën atje, e në përputhje me paketën e sanksioneve të ndërmarra nga BE dhe ShBA, vendosëm sanksione shtesë ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë. Vendosëm masa kufizuese edhe ndaj Grupit Wagner – një entitet ushtarak privat i painkorporuar, me bazë në Rusi”, ka thënë Kurti.

Tutje ai ka shtuar se, ndër tjerash janë vendosur masa restriktive për terrorizëm ndaj ISIL, Al-Qaeda dhe personave fizikë, juridikë dhe strukturave të lidhur me këto grupe.

Postimi i plotë:

Në mbledhjen e 78 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, miratuam vendime të rëndësishme për Republikën dhe për sigurinë e paqen ndërkombëtare.

Republika jonë është ndër të parat që është rreshtuar me botën demokratike në vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, pas invazionit dhe agresionit ushtarak në Ukrainë. Andaj, në raport me situatën atje, e në përputhje me paketën e sanksioneve të ndërmarra nga BE dhe ShBA, vendosëm sanksione shtesë ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë. Vendosëm masa kufizuese edhe ndaj Grupit Wagner – një entitet ushtarak privat i painkorporuar, me bazë në Rusi.

Me qëllim të mbrojtjes së paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, vendosëm masa restriktive për terrorizëm ndaj ISIL (Da’esh), Al-Qaeda dhe personave fizikë dhe juridikë, subjekteve ose strukturave tjera të lidhura me to.

Duke marrë parasysh nevojën për krijimin e mekanizmave sa me efikas, miratuam Projektligjin  për zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shënjestruara.

Po ashtu, plotësuam Programin Legjislativ për vitin 2022 të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Miratuam nismën për negocimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e Arkivave ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit.

I hapëm udhë bashkëfinancimit të bursave të arsimit të lartë në nivelin master me miratimin e nismës për marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës.