Kryeministri

Kurti: Nëse draftstatuti qenka çështje e brendshme, pse e futëm në Bruksel

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk ka kuptim të thuhet se draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është çështje e brendshme e Kosovës kur kjo temë është diskutuar në Bruksel. Ai i është përgjigjur emisarit evropian për dialog, Miroslav Lajçak, i cili e ka bërë një deklaratë të tillë.

Kurti në konferencë për media të mërkurën ka theksuar se ai ishte i gatshëm për nënshkrim në Bruksel, e se ndërkombëtarët e humbën shansën dhe ata duhet të pyeten pse.

Ka shtuar se BE-ja duhet të merret me letrën e Bërnabiqit ku thuhet se Serbia nuk do ta zbatojë Marrëveshjen e Brukselit.

“Me atë letër duhet të merremi… çka duhet të bëjmë me atë letër. Në dosjen e Brukselit ajo letër është pengesë kapitale. Le ta trajtojnë atë letër se pa u tërheq ajo letër nuk bëhet tërheqja nga zbatimi për marrëveshjen bazike. Më 18 mars unë kam propozuar të shkohet me draftstatutin, por na u tha jo. E tash përveç letrës së Bernabiqit ka edhe një qëndrim të ri që duhet adresuar që draftstatuti na qenka çështje e brendshme e Kosovës. Atëherë pse e kemi përmendur në tryezën e bisedimeve në Bruksel. Pse e ngritni këtë në Bruksel. S’po e flasim në Bruksel, një temë më pak, po ecim përpara. Unë nuk mundem të bëj më shumë se sa të nënshkruaj”, ka thënë Kurti.