Kurti në takim me ambasadoren kroate: Do të kemi një qeveri të ndryshimeve progresive

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për krzeministër, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Daniela Barishiq dhe sekretarin e Parë të Ambasadës së Kroacisë, Zlatko Vnuçec, të cilët i njoftoi për procesin e negociatave me LDK për formimin e koalicionit qeverisës.

Ai tregoi se programi i Qeverisë së ardhshme të Kosovës është në fazën e përmbylljes, me ç’rast po përfundon suksesshëm edhe procesi negociator, nga i cili do të rezultojë një qeveri e ndryshimeve progresive.

“Qeveria e re për prioritet do të ketë ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit brenda dhe jashtë institucioneve”, tha Kurti.

Ndërsa, ambasadorja Barishiq tha se Kroacia si kryesues e Presidencës së BE-së në gjashtëmujorin e parë 2020 do të angazhohet për procesin e integrimit të vendeve të rajonit në këtë institucion.

Të dyja palët u pajtuan që emigrimi i qytetarëve të shteteve të Ballkanit, veçanërisht i të rinjve, drejt vendeve të zhvilluara të Evropës, paraqet një problem të madh për rajonin.

Po ashtu u tha se fenomeni i ikjes së trurit po ulë kapacitetet për zhvillimin ekonomik në vend, pa marrë parasysh a ndodhë kjo në Kroaci, e cila tashmë është anëtare e BE-së, apo në vendet sikurse Kosova, të cilat kanë pasur pak përparim drejt integrimeve evropiane.

Në takim pati pajtueshmëri se zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij problemi kronik është ngritja e mirëqenies nëpërmjet zhvillimit ekonomik, dhe barazia para ligjit nëpërmjet luftimit të krimit dhe korrupsionit.

loading…