Kurti në rolin e këshilltarit, iu thotë kryetarëve të komunat të mbrojnë paranë publike

Mbrojtja e parasë publike është parim kyç me të cilin duhet të udhëhiqen të gjitha politikat publike, e kjo arrihet vetëm nëpërmjet menaxhimit të mirëfilltë të financave publike, ka qenë këshilla e kryeministrit Albin Kurti për kryetarët dhe nënkryetarët e komunave të Kosovës, të shtunën.

Kurti ka thënë në fjalimin e tij se Qeveria që nga fillimi i mandatit ka punuar në ndërtimin e mekanizmave që ndikojnë në avancimin e sistemit të buxhetimit dhe shpenzimit e deri te vendosja e kontrolleve të brendshme për të siguruar mirëmenaxhim e llogaridhënie.

“Në këtë drejtim, kemi punuar në koncept-dokumentin për menaxhimin e financave publike, që shënon hapin e parë në drejtim të avansimit të legjislacionit i cili ndërlidhet me forcimin e sistemit aktual të financave publike dhe adresimin e mangësive në arkitekturën aktuale administrative”, ka thënë ai, sipas komunikatës së Qeverisë.

Kurti ka thënë se “si rezultat i rritjes rekord të të hyrave buxhetore”, Granti i Përgjithshëm për vitin 2023 për komunat ka pasur rritje 32 për qind.

“Pra, kemi rreth 255.2 milionë euro më shumë buxhet të ndarë nga niveli qendror për nivelin komunal. E në këtë Komision miratuam edhe politika të reja si angazhimi i 59 konsulentëve të karrierës në shkollat e mesme të ulëta, rritjen e numrit të asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta në 500, shtimin e 30 profesionistëve të TI-së, rritjen e numrit të personelit shëndetësor në shëndetësinë primare prej 299 profesionistëve, dhe mundësimin e realizimit të vizitave për gra shtatzëna e fëmijë dhe persona në kujdesin paliativ”, ka thënë Kurti.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka folur për ridizajnimin e kornizës ligjore për financat publike që ka për qëllim që të sigurohet menaxhim më i mirë dhe më i përgjegjshëm i parasë publike. “Po ashtu, kemi në plan që në nivel kombëtar të trajtojmë çështjet problematike, siç janë ato për furnizimin me ujin e pijes, ambientin, por edhe edukimin e hershëm të fëmijëve”, ka thënë ai.

Si probleme kryesore, kryetarët e komunave theksuan nevojën për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes dhe për ujitje të tokave bujqësore, nevojën për trajtimin e ujërave të zeza dhe të përpunimit të mbeturinave, mungesën e inspektorëve komunalë e të tjera.

Kryeministri Kurti u kërkoi udhëheqësve komunalë që të bashkëpunojnë më shumë me njëri-tjetrin dhe të bashkërendohen më shumë me mërgimtarët nga komunat e tyre për rritjen e investimeve në vendlindje.