Kurti në Prekaz: Të gjithë shqiptarëve, urime 28 nëntori i flamurit, i pavarësisë dhe i UÇK-së

Aktivistë të shumtë të Lëvizjes Vetëvendosje bënë homazhe dhe vendosën lule të freskëta te varrezat e Jasharëve me rastin e shënimit të 106 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Kjo u bë në nder të familjes Jashari dhe të të gjithë dëshmorëve të rënë për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve.

Albin Kurti, kreu i Vetëvendosjes, tha se 28 Nëntori është dita thelbësore e identitetit kombëtar dhe historisë së shqiptarëve.

“Nga Skënderbeu në Krujë tek Ismail Qemali në Vlorë tek Adem Jashari në Prekaz, kujtojmë ngjarjet e lavdishme dhe njerëzit e mëdhenj me ndjenjën e përbashkët të krenarisë dhe përgjegjësisë tash kur amaneti i tyre na e ndriçon rrugën përpara. Të gjithë shqiptarëve, urime dhe gëzuar 28 nëntori i flamurit, i pavarësisë dhe i UÇK-së”, u shpreh Kurti, sipas njoftimit për media të kësaj partie.