Kurti në orët e vona pret Shefin e EULEX-it, nuk tregon se a kanë folur për situatën në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në orët e vona ka pritur në takim Shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se në takim është diskutuar raporti i World Justice Project.

“Raporti i World Justice Project (Projekti i Drejtësisë Botërore ) që renditë Kosovën si të parën në rajon për nga sundimi i ligjit, dhe në vendin e dytë në botë si shteti me përmirësimin më të madh në këtë fushë, ishin në qendër të takimit të sotëm”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Në këtë takim, kryeministri Kurti theksoi avancimin e vazhdueshëm në vend të indikatorëve demokratikë, si dhe angazhimin e Qeverisë së Kosovës në reformën në drejtësi, si dhe për luftimin e krimit dhe korrupsionit.​

Ndërsa EULEX pas paralajmërimeve për barrikada, ka njoftuar gjatë ditës se ka shtuar numrin e patrullimeve në veri të Kosovës. Mirëpo nga Zyra e Kryeministrit nuk kanë njoftuar nëse Kurti ka folur me Shefin e EULEX-it për një gjë të tillë.

Ky mision ka konfirmuar për media se një njësit i përbërë prej 105 policëve është i stacionuar në Mitrovicë

“Njësia e Formuar Policore e EULEX-it (NFP), e përbërë nga 105 policë, është e stacionuar në Mitrovicë. FPU-ja po kryen patrullime ditore të lëvizshme të zbulimit në veri të Kosovës. Misioni ka shtuar së fundmi patrullat e tij të zbulimit për të rritur ndërgjegjësimin për situatën”.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nga data 1 nëntor e këtij viti do të fillojë me zbatimin e ligjit për zëvendësimin e targave ilegale në ato legale të Republikës së Kosovës./Demokracia.com/