Kurti: Në Kosovë jetohet keq, Qeveria sot është kot!

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se në Kosovë jetohet keq dhe se janë shqetësuese të gjeturat sociale sipas anketës së publikuar së fundi nga ASK.

Kurti deklaroi se rezultatet janë për të ardhurat dhe kushtet e jetesës në Kosovë në vitin 2018, e që sipas tij gjendja mund të jetë përkeqësuar që nga atëherë.

Ai shtoi se mjerimi social nuk është fatkeqësi natyrore dhe se qeveritë para tyre kishin prioritet pasurimin korruptiv për vete dhe liberalizimin e vizave për qytetarët, transmeton Indeksonline.

“Qeveria sot është kot”, shtoi ai.

Postimi i plotë:

Mjerimi si shifër e shtetit

Në Kosovë jetohet keq. Janë shqetësuese të gjeturat sociale sipas anketës të publikuar së fundi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Rezultatet janë për të ardhurat dhe kushtet e jetesës në Kosovë në vitin 2018. E gjendja mund të jetë veçse e përkeqësuar që prej atëherë.

– Për 53.4% e ekonomive familjare janë barrë e rëndë shpenzimet për strehim dhe banim;

– Më shumë se çdo e pesta familje ka probleme me kulm apo çati që rrjedh, mure, dysheme, themele të lagështa, kornizat e dritareve dhe dysheme të kalbur;

– 69.5% nuk mund ta përballojnë një javë pushimi larg shtëpisë;

– 61.3% nuk mund ta përballojnë shujtën me mish, pulë dhe peshk çdo të dytën ditë;

– 47.3% nuk mund ta përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro;

– 35.4% nuk kanë kompjuter;

– 40.2% nuk janë në gjendje të përballojnë mbajtjen e shtëpisë të ngrohtë në mënyrë adekuate;

– 61.3% e kanë barrë të rëndë kthimin e kredisë;

– 78.3% kanë vështirësi në kryerjen e pagesave të nevojshme marrë parasysh të ardhurat totale;

– Më shumë se çdo e pesta familje në zonat urbane ka probleme me ndotje, papastërti dhe probleme të tjera mjedisore si: tymi, pluhuri, erëra të pakëndshme ose ujë të ndotur.

Mjerimi social nuk është fatkeqësi natyrore. Qeveritë para nesh kishin prioritet pasurimin korruptiv për vete dhe liberalizimin e vizave për qytetarët. Qeveria sot është kot.

Kemi mungesë të rrjetës sociale që siguron familjet në nevojë dhe kemi tepri të pandemisë që ka dalur nga kontrolli institucional.

Nevojitet model i ri ekonomik i përqendruar te punësimi dhe mjedisi e i mbrojtur nga drejtësia dhe qeverisja e mirë. Pas zgjedhjeve të reja, nis zgjidhja e këtillë. Mbase zgjedhjet po orvaten t’i vonojnë ca, pikërisht pse të gjitha subjektet ua dinë rezultatin atyre.