Albin Kurti

Kurti në Austri: Duhet më shumë presion mbi Beogradin për nënshkrimin e marrëveshjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në edicionin e 20-të të Forumit Ekonomik të Vjenës në Austri, në kuadër të panelit “Ndërtimi i bashkëpunimit ekonomik në kohë të vështira”, ka thënë se më 27 shkurt në Bruksel është arritur marrëveshja bazike për njohjen defacto mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se Kosova ka shtuar edhe Aneksin e zbatimit në Ohër, porse Serbia kishte refuzuar ta nënshkruante duke thënë se marrëveshjen e pranon në koncept, por jo edhe në përmbajtje.

Sipas tij kjo e vështirësoi situatën në terren.

Kurti ka thënë se duhet më shumë presion mbi Beogradin për të nënshkruar marrëveshjen për të cilën janë pajtuar.

“Kemi pasur sulme kundër ushtarëve të KFOR-it, policëve tanë dhe gazetarëve, pastaj rrëmbimi i policëve dhe në fund vrasja e policit kosovarë në Banjskë nga sulmi terrorist. Eskalimi ka ndodhur se përkundër marrëveshjeve gojore nuk ishte nënshkruar asgjë madje as në margjinat e Këshillit të Evropës”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se Serbia është fqinji më i madh për çka përbën edhe rrezik sigurie.

Ka shtuar se gjithashtu nevojitet edhe integrimi evropian.

Ka deklaruar se nënshkrimi i njohjes defacto, në mënyrë të dyanshme është hapi i parë dhe më i rëndësishëm.

Duke folur për punët e tij gjatë qeverisjes, ai ka thënë se qeveria e tij ka arritur suksese të mëdha.

Ai ka thënë se gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet, çdo vit kanë shtuar nga një miliard euro më shumë në buxhet. Sipas tij, inflacioni ka rënë këtë vit.

“Kosova nuk është shtet i madh por është shembull se si liria bëhet zhvillim dhe antikorrupsioni bëhet rritje. Sipas organizatave të ndryshme ndërkombëtare, ne kemi pasur progres të madh demokratik. Njerëzit janë më optimist për të shpenzuar sesa për të kursyer që është mirë për jetën e tyre dhe ekonominë e vendit. Kur e morëm postin ka pasur një deficit të madh tregtar, eksporti, importi ishte 1 me 9 tash është më pak se 1 me 6. Me ligjin e ri për zyrtarët publikë e kemi ulur pabarazinë. Për 2021 proporcioni i pagës më të lartë dhe më të ulët në sektorin publik ishte 20 me 1 tani është më pak se 5 me 1”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se për vitin 2024 kanë rritur buxhetin, veçanërisht për arsimin, shëndetësi, bujqësi dhe mbrojtje.

Ai ka thënë se kanë nënshkruar shkruar katër marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit, tri prej tyre në Berlin vitin e kaluar dhe 1 këtë tetor.

“Mendoj që procesi i Berlinit është rruga përpara që të mbështetë shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Nëse i shikoni shtyllat në të gjitha vendet ka dallime se cilat dëshirojnë të integrohen. Gjëja e fundit që dua të përmend është që ne kemi plan që të lidhim Prishtinën me Durrësin me hekurudhë dhe do të shfrytëzoj praninë e Komisionit Evropian që ta përfshijë hekurudhën Prishtinë-Durrës në rrjetin transevropian sepse në këtë mënyrë një padrejtësi e madhe që i është bërë vendit tim mund të korrigjohet dhe do të jetë mirë për tërë rajonin, për lidhshmërinë e rritjen”, ka thënë ai.