Ndryshe nga Presidenca e Kosovës që e kishte vlerësuar incidentin e presidentes Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit më 2 gusht si “provokim”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rasti nuk ishte provokim.

Ai në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka thënë se rasti duhet të zbardhet nga organet përkatëse.

“Nuk e di që kemi pasur si institucione të Republikës kësi qëndrime, mund ta ketë thënë ndokush tjetër por jo institucionet e Kosovës. MPJD ka dhënë qëndrimin e saj besoj që duhet ta synojmë të vërtetën dhe kurrsesi tensionimin e situatës, le të zbardhet rasti janë organet përkatëse që e bëjnë këtë. Kryeministri i Maqedonisë dhe unë s’mund ta bëjmë edhe zyrtarin doganor, edhe policin hetues edhe atë që mbikëqyr sigurimin e aeroportit”.

Nga Kurti s’kishte pasur asnjë reagim për incidentin e Osmanit më 2 gusht, kur u pyet nga gazetarët lidhur me këtë rast kreu i ekzekutivit ka vlerësuar se ka qenë “përvojë e rëndë e Osmanit”.

“Padyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani më 2 gusht në aeroportin e Shkupit, aq më tepër që ka qenë më familje”.

“Autoritetet e Maqedonisë, krerët shtetëror këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë një raport zyrtar që do të zbardh këtë çështje në tërësi dhe në hollësi edhe që të kuptojmë se çka saktësisht çfarë ka ndodhur, e po ashtu që të mos na përsëriten kurrë situatat e tilla”.

Kurti ka shtuar në konferencë se “kryeministri i Maqedonisë dhe unë s’mund ta bëjmë edhe zyrtarin doganor, edhe policin hetues edhe atë që mbikëqyr sigurimin e aeroportit”.

Më 2 gusht, Zyra e Presidencës përmes një reagimi publik është shprehur e indinjuar me deklaratat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilët kanë thënë se kur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i është kërkuar telefoni i saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj ka kërkuar që Osmani të kalonte pa u skanuar fare.

Në një reagim të së premtes, nga aeroporti i Shkupit, përkatësisht kompania që e ka nën menaxhim, kanë theksuar se janë udhëzuar nga Ministria e Punëve të Brendshme maqedonase që ta kontrollojnë presidenten Osmani.

Në reagim e tyre, ata edhe e mohuan që kanë tentuar t’ia marrin telefonin presidentes Osmani.

“Ne i hedhim poshtë kategorikisht akuzat se punonjësi ynë nga departamenti i sigurisë ka tentuar të marrë telefonin. Telefoni i është kërkuar për t’iu nënshtruar kontrollit (skriningut) të detyrueshëm të sigurisë përmes aparatit me rëntgen”, thanë nga aeroporti i Shkupit.

Ndërsa, koalicioni “VLEN”, përfaqësuesit e shqiptarëve në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet një komunikate për media kanë potencuar se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kompetencë mbi sigurinë e aeroportit.

Kjo ngjarje është cilësuar si një skandal diplomatik, derisa ka pasur reagime të shumta si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni të Veriut./AlbaniaPost/