Kryeministri Albin Kurti në forumin e Bratisllavës “Globsec 2022” ka kërkuar ndihmë nga Amerika e Bashkimi Evropian për luftimin ndaj mafies ndërkufitare që ekziston në Ballkan dhe më gjerë.
“Kemi pasur një qeveri të kaluar që ka kërkuar një marrëveshje të shpejtë, një rregullim të shpejtë që nuk i ka dalë aq mirë”, ka thënë Kurti në Bratisllavë.
“Ajo që po e theksoj megjithatë është që të mos favorizohet stabiliteti politik kundrejt reformave demokratike. ShBA-ja dhe BE-ja mund të bashkëpunojnë në këtë kuptim. Konkretisht, unë besoj që sundimi i së drejtës, luftimi i krimit të organizuar që është ndërkufitar, ekziston një gjë që quhet mafi ballkanike, të gjithë duhet të bashkëpunojnë, dhe na duhet ndihma e BE-së dhe e ShBA-së që ta luftojmë dhe na duhen vendet me demokraci, ku opozita mund të fitojë”.
Kurti tha se BE-ja duhet të bëjë më shumë në përforcimin e mirëqenies dhe drejtësisë sociale, dhe theksoi se NATO është po aq e rëndësishme në këtë shekull sa ishte në shekullin e kaluar.
“Unë kam qenë në opozitë për shumë vite me radhë dhe i kam fituar zgjedhjet. Herën e radhës dikush tjetër mund t’i fitojë. Do të na duhet që të kemi vlera evropiane të ndihmuara nga BE-ja, por ato duhet të rriten së brendshmi dhe në këtë kuptim BE-ja ka shumë për të bërë për të vepruar në kuptimin e përforcimit të një shteti kontinental të mirëqenies, sepse drejtësia sociale është shumë e rëndësishëm, antifashizmi, sepse ka pasur një lloj përafrimi me forcat protofashiste në BE, dhe pastaj na duhet NATO-ja në shekullin 21 jo më pak se në shekullin e kaluar”.







