Kurti, Mustafa e Osmani takohen në ora 12:00 në një nga hotelet e kryeqytetit

Pak ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që e nxorën të parën Lëvizjen Vetëvendosje me një diferencë të ngushtë në vota me LDK-në, krerët e të dy partive, do të takohen sot për herë të parë për të biseduar për një koalicion pas zgjedhor

Express ka konfirmuar nga burime të mirë informuara brenda dy partive se takimi do të mbahet sot në ora 12:00 në hotel Sirius në Prishtinë.

Se do të shihet me Kurtin e konfirmoi sot edhe kandidatja e LDK-së për kryeministre e nënkryetarja e kësaj partie, Vjosa Osmani.

Osmani tha sot se me Kurtin do të shihet pas një takimi që fillimisht do të mbajë me një koalicion gjerman.

Takimin e sotëm e ka konfirmuar dje edhe kreu i VV-së, Albin Kurti.

“Në parim nga LDK kanë pranuar që të kenë koalicion me ne dhe ne nesër do të kemi një takim ku marrim pjesë unë dhe nënkryetari i Vetëvendosjes nga ana tjetër do të jetë kryetari i LDK-së dhe kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani. Jemi të dënuar të bashkëpunojmë, këtë që e ka dashur populli që na ka votuar”, ka thënë ai.

Ky është takimi i parë në mes të dy partive pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit, që e nxorrën të parën Vetëvendosjen, derisa, LDK doli e dyta me një diferencë jo shumë të madhe në vota.

Edhe para zgjedhjeve, LDK e VV patën negociuar për mundësinë që të garonin me një listë të përbashkët zgjedhore, derisa, u dakorduan që të shkojnë të ndara në zgjedhje, e pas tyre ai që del fitues merr postin e kryeministrit.

loading…