Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka bërë edhe një përpjekje që investimet që bëhen me buxhet të shtetit t`i shfrytëzojë për qëllime politike.
Ai ka njoftuar se ashkë me kandidatin e VV-së për kryetar të Vitisë, Arsim Ademi, ka vizituar një rrugë në Stubëll të Vitisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo rrugë ka kushtuar 822,858 euro.
“Rruga alternative për Stubëll, nga rruga Anton Çeta deri te rruga Sejdiu, është njëri nga katër projektet që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i ka realizuar ose po i realizon në komunën e Vitisë. Projektet e tjera janë: Rruga Viti – Korbliç – Kaçanik, rruga Mjak dhe Debelldeh, dhe rruga e Vërnakollës. Vlera e investimit për këtë rrugë është 822,858 euro, ndërsa vlera totale e investimeve në infrastrukturë rrugore në komunën e Vitisë, nga MMPHI, gjatë këtij mandati qeverisës, është mbi 8 milionë euro”, ka shkruar Kurti, duke dhënë detaje tjera.
“Rruga alternative për Stubëll e bën më të lehtë dhe më të sigurt qarkullimin e banorëve të këtij fshati dhe fshatrave përreth, por edhe të vizitorëve të shumtë që vijnë në Stubëll për shkak të vlerës historike e kulturore që ka ky fshat, ku gjendet edhe shkolla e parë shqipe në Kosovë dhe objekte të tjera të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar ai.







