Kurti: Me UNMIK-un flasim për vrasjen e Mon Balajt dhe Arber Xheladinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim me përfaqësuesin special të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Zahir Taninm më datë 12 të këtij muaji.

E lidhur me këtë, deputeti i PDK-së Fadil Nura, gjatë seancës që po mbahet në Kuvend, e ka bërë një pyetje parlamentare ndaj kreut të ekzekutivit, kurse ky i fundit tha se në këtë takim kanë folur edhe për raportin me Serbinë.

“Aty foli edhe ministrja e MPJ-së, Donika Gervalla, unë si kryeministër i Kosovës, konsideroj që me UNMIK-un duhet të flasim për vrasjen e Mon Balajt dhe Arber Xheladinit. Sa na përket neve si ekzekutiv, ne kemi bërë atë që mundemi.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka shkruar direkt Rumanisë për këtë çështje, por ende pa përgjigje, pra për të përfshirë edhe raste të tjera penale”, tha Kurti.

Ndryshe, më 10 shkurt 2007, dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje Arben Xheladini dhe Mon Balaj mbetën të vdekur pasi u qëlluan me plumba goma nga policët rumunë të misionit të UNMIK-ut derisa po protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit.