Kurti: Më shumë kemi marrë informata për dialogun nga Lajçaku sesa nga Hoti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në procesin e dialogut qeveria e tij nuk ka shumë informacione, pasi sipas tij, nuk ka dokumentacione.

Kurti, në një paraqitje direkte nga Brukseli për korrespodentët kosovarë, u shpreh se ish-kryeministri Avdullah Hoti nuk ka lënë asgjë në zyrën e Kryeministrit, dhe se informatat e dialogut i ka marrë më shumë nga ndërmjetësuesi i BE-së, Mirosllav Lajçak.

“Një qeveri e re do të thotë se do të ndodhë kapitull i ri. Edhe në Bruksel e kanë të qartë se me kryeministrin e ri, presidenten e re, Qeverinë e re dhe Ministren e Jashtme të re nuk mund të vazhdojë avazi i vjetër. Është e vërtetë që neve na mungon informacioni, sepse na mungon dokumentacioni. Procesi ka pasur shumë drafte, shumë marrëveshje dhe shumë hollësi, të cilat nuk i kemi gjetur tash kur jemi kthyer në zyrë. Ne po pajisemi me dokumente nga Bashkimi Evropian, qartazi deri tani kemi marrë më shumë informata nga ndërmjetësuesi Lajçak sesa nga ish-kryeministri që u rrëzua nga Kushtetuesja. Çdo herë që do të na shfaqet diçka që nuk e kemi ditur më herët, do t’i kemi rezervat tona. E kuptoj konfidencialitetin e bisedimeve, por konfidencialiteti i bisedimeve duhet të shoqërohet me transparencë. Qeveria e re nuk mund të marrë përsipër domosdoshmërisht zotimet e njëanshme, jo transparente të ekzekutivit të vjetër. Kemi rezervë të madhe ndaj zotimeve nga kryeministri paraprak, por kjo nuk do të paraqet problem shumë të madh. Me Qeverinë e re mund të flitet për kapitullin e ri”, deklaroi Kurti.