Kurti: Me Rashiqin nuk diskutuam për një koalicion të mundshëm

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot ka mbajtur një takim me kandidatin për kryeministër nga koalicioni “Liria”, Nenad Rashiq.

Kurti ka konfirmuar se me Rashiqin sot nuk kanë diskutuar për një koalicion të mundshëm, por për procesin zgjedhor në vendbanimet serbe.

“Njëri ndër folësit kryesor në Konferencën e Donatorëve, pas shpalljes së pavarësisë ka qenë pikërisht Nenad Rashiq. Është për të ardhur keq që nuk ka pasur zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike në komunitetin serb. Gjithashtu, Rashiq nuk e ka asnjë aferë apo skandal të vetëm si ministër. Më duhet të them se njëri ndër ministrat më të mirë të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë është Nenad Rashiq. Bisedova me të për procesin zgjedhor si kanë shkuar në vendet me shumicë serbe dhe ai ka qenë shumë i zhgënjyer me parregullsitë dhe shkeljet e shumta”, ka deklaruar Kurti.

Tutje ai ka theksuar se, “nuk ishte një takim për koalicionin e ardhshëm, por isha i interesuar të merrja informacione mbi mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve nga vet personi që ka marrë pjesë në zgjedhje”.

Kurti ka thënë se do të adresohen të gjitha shkeljet që janë bërë pasi, sipas tij, janë përsëritur shkeljet si në vitin 2017.

“Vëzhguesit ndërkombëtar kanë bërë të ditur se ka pasur shkelje të mëdha edhe këtë herë si në vitin 2017 në vendbanimet me serbë. Ne do të adresojmë këto shkelje. Jemi shumë të interesuar që të integrojmë komunitetet, jo vetëm atë serb. Shkeljet që ishin bërë më 2017, janë përsëritur sërish, e ne nuk mund t’i lëjmë pa i adresuar këto shkelje. Nga këto që kam dëgjuar nga Rashiq e nga komisionerët ndërkombëtar mund të them se më shumë ka demokraci në Kinë se sa në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Kurti gjithashtu ka konfirmuar se gjatë javës së ardhshme do të ketë takime me LDK-në.

loading…