Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me ministren e Jashtëm të Letonisë, Braze Baiba në Forumin e Sigurisë në Varshavë të Polonisë, me të cilen ka diskutuar për sigurinë rajonale në Evropë.
Takimin e ka bërë të ditur Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’.
“Diskutuam për forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Letonisë bazuar në vlerat e përbashkëta dhe përkushtimin tonë për paqen dhe sigurinë rajonale në Evropë. Mezi presim bashkëpunimin e vazhdueshëm në sfidat e përbashkëta”, ka shkruar Kurti në rrjetin social ‘X’.
Kurti do të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit të Sigurisë (WSF), i cili do të zhvillohet nga 1 tetori deri më 2 tetor.
Në fokus të këtij forumi do të jenë çështjet kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes nën trysninë e kërcënimeve të paqes.
Gjithashtu, pjesëmarrës në këtë forum, i cili mbledh rreth vetes liderë, diplomatë, ushtarakë dhe ekspertë të sigurisë, do të jetë edhe Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili do të kontribuojë në diskutimet rreth politikave të mbrojtjes.
WSF është një nga forumet kryesore evropiane për sigurinë, i cili synon të avancojë dialogun politik rreth strategjisë së mbrojtjes për paqe dhe stabilitet, posaçërisht në Evropën Qendrore dhe Lindore. WSF organizohet që nga viti 2014 në Varshavë.







